A ka ardhur koha për krijimin e një skeme sigurimi kundër fatkeqësive natyrore? Çfarë deklaronte Rama pak ditë më parë

Reshjet e dendura të shiut të cilët nisën gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme në banesa, biznese, automjete dhe infrastrukturë rrugore.
Qarqet më të goditura deri tani janë Shkodra, Lezha, Dibra dhe Vlora ku vërshimi i ujit ka detyruar familje të lenë banesat e tyre.
Një rast konkret është banesa e familjes Neli në fshatin Dritë të Matit.
Vërshimi i ujit në ambjentet e brendshme të banesës detyroi autoritetet të bëjnë evakuimin e 8 anëtarëve.
Kryefamiljari u shpreh për mediat se kjo është hera e parë që banesa e tij përmbytet ku uji hyri në shtëpi rreth orës 7 të mëngjesit të ditë së sotme.
Dëmeve nga uji nuk i kanë shpëtuar as bizneset dhe automjetet, ndërsa raportohet se është shembur edhe rruga kryesore e fshatit Shpërdhet në Kurbin.
Pak ditë më parë, gjatë fjalës së tij në Konferencën Vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), e mbajtur në Tiranë, kryeministri Edi Rama u shpreh se, qeveria shqiptare do të fillojë punën për krijimin e një skeme të re sigurimi që synon mbrojtjen e qytetarëve ndaj rreziqeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.
Dëmi i katastrofave të tilla si përmbytjet, zjarret, tërmetet, sipas shefit të qeverisë, mund të shkatërrojnë vite pune të mundimshme duke i lënë ata të pambrojtur.
“Rruga përpara është e qartë. Na duhet të zgjerojmë rrjetat tona të sigurimit për të përfshirë më shumë individë, sektorë dhe lloje rreziqesh dhe të sigurohemi që këto zgjidhje të mund të merren nga gjithkush.
Evoluimi i vazhdueshëm digjital që po kalojmë synon të krijojë tërheqje më efikase, më të aksesueshme, përfshi sigurimet. Detyrimi ndaj qytetarëve tanë është që t’i ndihmojmë t’i shohin sigurimet si një pjesë thelbësore jetës së tyre dhe si një investim në të ardhmen e tyre”, tha Rama.
A ka ardhur vërtetë koha, siç deklaroi edhe kryeministri Rama, që të kthejmë sytë nga sigurimet? Ekspertët thonë po. Por a do të marrë qeveria shqiptare veprime konkrete, siç premtoi edhe kreu i saj pak ditë më parë? Kjo mbetet për tu parë…