E Diel, 1 Nëntor 2026

A ka mbërritur te ne liria?

"The Economist", njëra prej revistave më të njohura dhe më peshërënda në krejt rruzullin, ka bërë një studim. E sipas këtij studimi, Shqipëria rezulton të jetë vendi më i varfër në Ballkan, ose me të ardhura më të pakta për frymë, nëse këto dy togfjalësha nuk janë e njëjta gjë. Ca kohë më parë, njerëzit që punojnë në zyrat më hijerënda të planetit, por edhe ne vetë, patëm rast ta shihnim "vatanin" tonë të rreshtuar në një listë të gjatë vendesh që cilësoheshin prej së njëjtës revistë si "gjysmëdemokratike", pra si vende të cilat synojnë të arrijnë ato që gjetkë quhen "standarde perëndimore" të demokracisë, por që mezi mbërrijnë t‘u afrohen dhe jo më t‘i plotësojnë ato.
Ndokush edhe mund të jetë gëzuar me këto dy cilësime të "The Economist". Këtu, sigurisht që bëhet fjalë për politikanët dhe për militantët që u vinë rrotull, duke iu fërkuar nëpër këmbë. Shumëkujt prej tyre në pozicionin e sotëm i takon të ngazëllehet dhe të thotë: E shikoni? Ja ku na shpuri Saliu dhe kasta e tij! Mund të jetë kështu, mund të jetë edhe ndryshe. Kjo punë është fort e ngatërruar meqenëse në këto afër dy dekada nuk jemi qeverisur vetëm nga Saliu, por edhe nga të tjerë, dikur kundërshtarë të tij e sot aleatë të tij. E gjithë puna është të mundohemi të kuptojmë dhe të vrasim mendjen me trishtim, a ka lidhje mes të qenit vend i varfër dhe njëherazi gjysmëdemokratik? A ka mundësi që një vend të varfër të lulëzojë demokracia dhe, pra, liria e vërtetë, ajo që kanë ëndërruar breza të tërë shqiptarësh? Tani pas afër 20 vjet përpjekjesh, rrëmujash, hallakatjesh, suksesesh, zhgënjimesh, keqpërdorimit të demokracisë dhe të vlerave të saj, a ka mbërritur më në fund te ne liria?
Liria është një fjalë e çuditshme. Liberte, Liberta, Freiheit, Libertad… po të kërkoni në të gjithë fjalorët e botës nuk do të gjeni sinonim të saj. Ka "liri të fjalës", "liri të besimit", "liri të shtypit" dhe të tjera me radhë, por, në fund të fundit, ka vetëm një liri. Ajo është e vetme, e pakrahasueshme, unike, gati-gati e paprekshme dhe disi jashtëtokësore.
Koncepti i lirisë është i lidhur në radhë të parë me mendimin. Ti mendon ndryshe dhe mundohesh që atë që ke në kokë të mos e tjetërsosh. Kjo, me pak formim të karakterit, arrihet. Mjafton që mendimin tënd të mos e shprehësh. Ta ruash të fshehtë, diku në qoshet e kafkës tënde, dhe të arrish që askush të mos e kuptojë. Nën diktaturë me miliona vetë e kanë bërë këtë gjë. Puna është se liria është e lidhur edhe me… stomakun dhe me gjërat e tjera për të cilat një qenie njerëzore ka nevojë. Pa ta vëmë veten një herë në atë rolin e një mësuesi fshati, i cili, për dreq ka bërë edhe një tufë fëmijë, pa ta vëmë veten një herë në rolin e ndonjë nëpunësi rrogëvogël e kokulur komune, pa ta vëmë veten një herë në rrolin e një nëpunësi, i cili me njëmijë e një miqësira e marifete, me një mijë servilizma, por edhe me mijëra orë punë e sakrifica ka arritur më në fund të zërë një vend pune diku në një dikaster në Tiranë duke e realizuar kështu ëndrrën e tij më të madhe: ti shpëtojë provincës. Të gjithë këta nuk është e thënë të kenë një mendje me shefin, por heshtin, të ndrydhur njësoj si një tapet me gjethe vjeshte që e shtypin makinat që kalojnë mbi të. Këta shohin një mijë e një gjëra me të cilat nuk janë dakord, revoltohen pa zë në vogëlsinë e tyre me frikën e madhe se mos humbin vendin e punës dhe durojnë lloj-lloj xhahilësh që kanë mbi krye. Këta njerëz nuk janë pak, ata janë shumë. Nëse janë ata të lirë apo jo, këtë nuk e keni vështirë ta gjeni vetë.
Partitë tona deklamojnë me të madhe lirinë që ata u paskan dhuruar popullit. Ata kurrë nuk e thonë se vetë partitë janë organizma të ndërtuar mbi disa rregullore e statute që janë hartuar pikërisht për të kundërtën, për të frenuar lirinë. Tani, në kohët e fundit, gjërat sikur janë ndryshuar ca, dhe skërmitja e dhëmbëve ndaj mendjeve ndryshe brenda tyre është zëvendësuar me një ngritje indiferente shpatullash - njësoj si ajo kënga "vetë desh, vetë desh…" - porse mekanizmi i votimit dhe ajo turma e njerëzve, e cila nga frika heq dorë nga mendja e vet, i bën ata që mendojnë ndryshe brenda partive, disa dele të zeza, liria e të cilëve sa vjen e ngushtohet derisa zhduket fare. Kanë dalë kundër rrymës, le ta vuajnë tani vetminë e tyre. Por liria kurrë nuk shijohet në vetmi. Ajo është një gjë që njeriut i pëlqen ta shijojë duke e deklamuar fort.
Ndokujt mund t‘i duket një shenjë e pafund lirie fakti që në mitingjet e partive e shoqatave tona ka një pjesëmarrje të gjerë, që askush nuk të shqetëson nëse ke vendosur të protestosh para qeverisë, Parlamentit, apo ndër sheshe të mëdha e të vogla qytetesh e fshatrash. Kjo është e vërtetë në krahasim me diktaturën dhe me fazën e parë të pasdiktaturës kur valonte mirë dajaku. Porse, dreqi ta hajë, jemi në mijëvjeçarin e tretë dhe njerëzit që ecin si një ushtri e bindur, me hap të rregullt dhe pa bërë zhurmë, me mijëra anë e kënd vendit, herë majtas dhe herë djathtas, që zbatojnë të bindur urdhrin e të parit të tyre: Sot të gjithë në shesh!, seç të lënë një shije të hidhur që të kujton pak "njeriun e ri" të Enver Hoxhës. Pastaj, zakonisht me pak vonesë nga ora e parathënë e hapjes, mbi tribunë del lideri i tyre. Dhe atëherë turma nis të ekzaltohet, dallgëzohet si një det në stuhi dhe nga larg duket si një organizëm i vetëm, gjigant, i gjallë. Tashmë brenda saj nuk ka më individë me emrin njerëz ka vetëm qeliza të një trupi që i komandon një tru i vetëm. Disa sekonda pas klithmës së parë të turmës nis fjalimi i liderit. Brohoritjet fillojnë ende pa mbaruar ai fjalinë e parë. Turma do të brohoriste njësoj edhe sikur ai t‘u thoshte: Të dashur militantë! Sot do t‘ju jap një lajm të gëzuar. Sot për darkë ju kam bërë taavë kooosi! Ja se si gatuhet bijtë e mi…". Askush nuk i dëgjon fjalët e liderit dhe ai e di këtë fort mirë. Turma do të zbatojë urdhrin dhe pastaj në darkë do të kthehet e kënaqur me sytë nga pjata ku pret të shohë tavën e premtuar të kosit. Po këta, militantët, që ia kanë falur mendjen e tyre dikujt tjetër, a mund të quhen njerëz të lirë? Për mendimin tonë modest jo, por më mirë mbi këtë pikë vendosni ju vetë.
Një nga fetat e mëdha të lirisë është liria e shtypit. Neve, që punojmë ndër gazeta e TV, na pëlqen ta quajmë veten "pushteti i katërt". Do të ishte fort mirë sikur të ishte kështu, por ajo shprehja që ka lidhjen me pushtetin deri më tani duket vetëm sikur është më shumë një dëshirë apo një llastim i yni se sa një e vërtetë. Autori i këtyre radhëve është i mendimit që vetë shtypi në radhë të parë, me automekanizmat e tij duhet të rregullojë vetveten, porse ama nuk ka se t‘i heqë nga mendja ato shprehjet hipokrite: Ne shtypin e kemi xhan, aq xhan sa nuk e dini as ju vetë. Në këtë rast termi "hipokrit" është përdorur sepse është i vetmi që shpjegon faktin se përse një projektligj mbi shtypin, që veç të tjerash kufizon edhe hyrjen e të marrëve në radhët e gazetarëve, nuk është përfillur fare nga liderët e porsakthyer nga mitingjet. Ai ka muaj që kush e di se ku fle në ndonjë sirtar të harruar. Jo vetëm për këtë arsye, por edhe për shumë të tjera, ekonomike, të formimit, të mentaliteteve e kështu me radhë, shtypi te ne është larg termit "i lirë". Të paktën kështu e ndjen veten një pjesë e mirë e jona.
Megjithëse atë e hasim përditë, "The Economist" na kujtoi një nga plagët tona të mëdha: varfërinë. Një i varfër nuk është i lirë të vendosë për fatin e tij dhe të fëmijëve. Ëndrra e tij për të shkolluar fëmijët nuk ka se si të bëhet realitet. Ai preferon më mirë t‘i ketë fëmijët gjallë, ndonëse të pashkolluar. Dhe, që ta bëjë këtë, i duhet t‘i heqë vocërrakët nga shkolla dhe t‘i dërgojë në mal me bagëti. Të varfrit i vjen turp të shkojë në qytet, ai nuk është i veshur mirë. i varfëri as që i ëndërron një palë pushime të thjeshta në anë të detit. Për të gjërat, që sheh në televizorin e vjetër, janë aq larg sa nuk ia pret mendja askujt. Varfëria nuk e le njeriun të mendojë, nuk e le të bëhet zot i fateve të veta, nuk e le të ëndërrojë dhe të luftojë për të realizuar një jetë më të mirë. Pastaj, varfëria është një sëmundje zakonisht e trashëgueshme. Në një vend ku askush nuk kujtohet për të varfrit ata shtohen me hapa galopantë. Le ta shtrojmë edhe një herë atë pyetjen tonë: po kjo kategori, gjigante për te ne, a mund të jetë e lirë?
Ndokujt, apo shumëkujt këto radhë mund t‘i duken të trishtuara, apo të tepruara, ndoshta. Ato janë shkruar pas ditëve të tëra me shi. Pastaj fajin e ka edhe "The Economist". Përse dreqin duhej të na kujtonte gjëra që përpiqeshim t‘i fshinim nga mendja?! Megjithatë, me një gjë besoj se do biem dakord të gjithë: jemi larg, shumë larg asaj lirie që kemi ëndërruar. Me kalimin e kohës së vyer gjithnjë e më shumë po na mbushet mendja se liria, ajo fjala e pashoqe në botë, mbase nuk ekziston. Mbase është vetëm një iluzion që njeriu e ka sajuar që ta ketë si një objektiv që e çon atë përpara, e bën më të mirë dhe më të largët me botën e instinkteve. Porse ama ia vlen që të përpiqesh që të provosh të kundërtën. Po sikur liria të ekzistojë vërtet? Njerëzit që nuk ëndërrojnë, nuk i pret ndonjë jetë për t‘u mbajtur mend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›