A pendohet për marrëveshjen me Ramën në 2008? Berisha: Ai na u imponua, sot mbështes listat e hapura

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij po rrit taksat me qëllim për të vjedhur partë e taksapaguesve.
Duke komentuar paketën fiskale, e cila pritet të prezantohet nesër nga qeveria, Berisha pretendoi se ndryshimet e parashikuara do të kenë pasoja negative për bizneset dhe investimet e huaja në Shqipëri.
“Ato dëmtohen shumë në të gjitha pikat. Dëmtohen në uljen e nivelit të xhiros nga 10 milionë, në 5 milionë për TVSH. Ata dëmtohen shumë në taksën e dividendit, e cila pothuajse dyfishohet. Dëmtohen në rritje e TVSH-së. Kjo është një goditje e rëndë që marrin bizneset dhe investimet e huaja. Në dhjetë vitet e fundit nuk ka asnjë investitor të huaj serioz që ka ardhur në Shqipëri“, tha ai.Kreu i demokratëve u shpreh se opozita ndodhet në fazën përfundimtare të betejës së saj politike, të cilën e cilësoi si më të vështirën, por deklaroi se Edi Rama nuk ka të ardhme politike.
“Ne jemi në kilometrin e fundit, gjithmonë kilometri i fundit është më i vështiri, por Edi Rama nuk ka të ardhme. Kryeministri rrit taksat, sepse vjedhin të gjithë si lukuni. Si mund të bëhen ministrat kaq zengjinë me rrogë shteti“, tha ai.Gjatë deklaratave, kryedemokrati u pyet edhe për qëndrimin e tij ndaj listave të hapura në zgjedhje. Berisha u shpreh pro këtij sistemi, duke deklaruar se do ta mbështeste menjëherë.
Berisha pretendoi se ndryshimet e mëparshme në Kodin Zgjedhor në vitin 2008 iu imponuan opozitës nga mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama. Sipas tij, opozita nuk kishte votat e nevojshme për të kundërshtuar ndryshimet dhe alternativat e saj ishin bojkotimi i zgjedhjeve ose pranimi i Kodit Zgjedhor.
“Absolutisht po, që nesër, pa asnjë diskutim, me kënaqësi të madhe. Kurrë nuk do ta pranoja, por na e impunuan, Na e imponoi Rama me përfaqësuesit e tij, ai kishte vota, ne nuk kishim votat. Nuk kishim alternativë, ose të bojkotonim zgjedhjet, ose të pranonim Kodin.”, tha ai.