A po përgatitë Irani sulme në SHBA?

Zyrtarët e lartë amerikanë të zbulimit thanë se Irani është i gatshëm të kryejë sulme në Shtetet e Bashkuara apo kundër interesave amerikane jashtë vendit, por duket se ende nuk ka vendosur të ndërtojë armë bërthamore. Drejtuesit e shërbimeve amerikane të zbulimit dhanë vlerësimet e tyre për kërcënimet ndaj sigurisë globale, në një seancë dëgjimore në kongres.
Në dëshminë që dha para Komisionit të Senatit për Zbulimin, drejtori i Zbulimit Kombëtar, James Clapper, tha se parandalimi i një komploti për vrasjen e ambasadorit të Arabisë Saudite në Washington vitin e kaluar, tregon se disa zyrtarë iranianë “tani janë më të gatshëm për të kryer sulme në Shtetet e Bashkuara, në përgjigje të veprimeve të vërteta apo të perceptuara që kërcënojnë regjimin”.
Irani ka mohuar pjesëmarrjen në komplote vrasjesh dhe këmbënguli se nuk ka ndërmend të ndërtojë armë bërthamore. Clapper u tha senatorëve se të paktën deri tani, Irani nuk është duke ndërtuar armë bërthamore.
“Sigurisht që ata janë duke punuar në këtë drejtim, por ne nuk besojmë se ata kanë marrë vendimin për të prodhuar armë bërthamore”, tha Clapper.