A protestohet dot nga punëtorët? Eksperti: Fasoneritë nuk lejojnë organizimet

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Shqipëri, Nevrus Kaptelli, e ka cilësuar si shumë delikate çështjen e punonjësve në Sqqipëri.
Ndërsa ishte i ftuar këtë të mërkurë në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, Kaptelli tha se sot në Shqipëri pronarët e fasonerive nuk i lejojnë punëtorët të organizohen në protesta.
Pjesë nga biseda:
Kaptelli: Punëtorët janë të paorganizuar. Qoftë një pronar hoteli, qoftë një ndërtues, nuk lejojnë të organizohen punëtoret. Po nuk u detyruan që punonjësit të kenë kontrata pune kolektive atëherë ai mund t’i vejë sa të dojë orët e punës.
Pranvera Borakaj: Mua më duket që ndonjëherë punëtorët në Shqipëri nuke dinë fuqinë e tyre. Nuk e di nëse kjo është çështje kulturore, ose nuk ndihen mjaftueshëm të kualifikuar që t’i kërkojnë me forcë të drejtat e tyre. Që kemi shumë punëtorë që ju shkelen të drejtat ky është një fakt. Herë pas here politika ankohet që nuk ka organizata funksionale, që t’i organizojë. Sindikatat nga ana tjetër thonë që nuk kemi një alternativë tjetër përveç qeverisë që të na mbështesë konkretisht në kërkesat tona.
Kaptelli: Një qeveri që thotë që nuk kemi sindikata funksionale, deklaron hapur që nuk është një qeveri demokratike. Është për turpin e kësaj qeverie që këtu punëmarrësit janë të paorganizuar.