“A të dukem tërheqëse?”/ Tentoi të puthte disa herë kolegun, përjashtohet përgjithmonë nga puna policja

Një police e re në Britaninë e Madhe është përjashtuar përgjithmonë nga shërbimi, pasi një hetim disiplinor zbuloi se ajo kishte bërë përpjekje të padëshiruara me natyrë seksuale ndaj një kolegu gjatë një daljeje pas pune.
Brogan Canning kishte prekur këmbën e kolegut të saj, tentoi ta puthte dhe i tha disa herë: “E di që ti e do.”
Oficeri deklaroi se ishte ndier “i zemëruar dhe i turpëruar” nga sjellja e saj.
Ajo madje e pyeti: “A të dukem tërheqëse?” pasi ai refuzoi afrimet e saj, raporton “The Sun“.
Dëshmitarët, përfshirë policët Nathan Mills dhe Megan Smith, raportuan se Canning po vepronte “çuditshëm” gjatë gjithë mbrëmjes dhe se e kishin parë të prekte kolegun në mënyrë të papërshtatshme. Canning, e cila kishte konsumuar shumë alkool, pretendoi se nuk i mbante mend plotësisht ngjarjet, por nuk i mohoi akuzat dhe kërkoi falje.
Paneli disiplinor vlerësoi se sjellja e saj përbënte shkelje të rëndë etike, duke e cilësuar si një “afrim seksual të padëshiruar” dhe si sjellje “fyes dhe viktimizuese”.
Vendimi e vendos ish-policen në listën e personave të përjashtuar, gjë që e ndalon përjetësisht të punojë në ndonjë forcë policore në Mbretërinë e Bashkuar.