AAK abstenoi, Limaj e Krasniqi votuan pro Mocionit

Edhe pse ky mocion ishte përkrahur dhe nënshkruar në fillim nga AAK-ja, sipas një transkripti të votimit të kuvendit, të cilin e ka siguruar KosovaPress-i, vetëm disa ditë më vonë ka ndryshuar qëndrimin. Ndoshta,presioni ndërkombëtar e ndoshta edhe mundësia e hyrjes në koalicion me partinë më të madhe PDK-në, ka bërë që të ndryshohet ky qëndrim dhe të i përshtatet politikave të Qeverisë aktuale.
Këtë mocion të opozitës e kanë përkrahur kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, deputeti Fatmir Limaj, deputetja Justina Pula-Shiroka, ndërsa deputeti Hydajet Hyseni e Flora Brovina kanë abstenuar.
Por deputetët e AAK-së me shumicë e kanë abstenuar këtë mocion edhe pse kanë qenë nënshkrues të mocionit.
Deputetët e AAK-së të cilët kanë abstenuar janë, Blerim Shala, Ardian Gjini, Burim Ramadani, Kymete Bajrami, Time Kadrijaj, Teuta Haxhiu dhe Bali Muharremaj.
Kurse, deputetja e AAK-së, Donika Kada Bujupi deklaroi se ka votuar mocionin e partive opozitare.
“Nuk kisha me thanë që kam votuar kundër grupit por kam votuar bazuar në parimet e mia, në atë që e kemi thënë në vitin e kaluar dhe mendoj që bazuar në kushtetutë dhe në rregulloret të Kuvendit, deputeti varësisht nga ajo që beson e jep edhe votën e vet”, ka thënë Kada Bujupi.
Sipas saj, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ka demokraci, prandaj edhe deputetëve iu lejohet me nda mendjen për qëndrime të caktuara dhe me votu sipas bindjeve të tyre.
“E deklarova votën time, sepse kam konstatuar se nuk ka ndërruar qëndrim dhe nuk kisha dashtë sot me fol për mënyrën se si votojnë deputetët e tjerë, sepse atëherë ajo do të binte në kundërshtim me atë që e thash paraprakisht që është e drejtë kushtetuese dhe është demokraci që deputeti me vendos me votu vetë bazuar në bindjet e veta, besimin e vet dhe në mënyrën se si ai mendon për një çështje të caktuar, që jo domosdoshmërish çdo herë mundet me qenë bindje e krejt grupit”, ka thënë ajo.
Ndërkohë deputeti nga koalicioni qeverisës, Muhamet Mustafa ka votuar pro, si dhe deputeti i pavarur, Emin Gërbeshi.
Rrëzohet Opozita
Me shumicë votash, deputetët kanë rrëzuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për pezullimin e procesit të privatizimit.
Ky mocion fillimisht u mbështet nga LDK dhe AAK, por ndërkohë partia e Ramush Haradinajt ndërroi mendje.
“Me 53 vota Kundër, 45 Për dhe 9 Abstenime nuk miratohet mocioni i Vetëvendosjes”, ka thënë Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.
“Me kaq përmbyllet seanca e sotshme”, ka shtuar ai.
Deputetët e PDK’së që kanë votuar pro mocionit të Vetëvendosjes janë: Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Justina Pula, ndërsa ka abstenuar Hydajet Hyseni dhe Flora Brovina.
Edhe Amir Ahmeti dhe Muhamet Mustafa të KKR’së kanë votuar në kundërshtim me koalicionin qeveritar dhe kanë mbështetur opozitën.
Ndryshe, AAK është ndarë në dysh kur ka votuar për mocionin e Vetëvendosjes. Blerim Shala, Burim Ramadani, Ardian Gjini, Kymete Bajraktari, Time Kadrijaj, Teuta Haxhiu dhe Bali Muharremaj kanë abstenuar.
Ndërsa, Daut Haradinaj, Ahmet Isufi dhe Donika Kadaj kanë votuar pro mocionit të opozitës.
Në fillim të seancës deputetët opozitarë kanë kontestuar ligjërisht mundësinë që PDK të paraqitet me Rezolutë të saj, përmes të cilës kërkohet vazhdimi i procesit të privatizimit. Në fund është vendosur që të hedhet për votim vetëm mocioni i Vetëvendosjes.
Kuvendi sot voton mocionin dhe rezolutën për privatizim
Debati për privatizimin e ndërmarrjeve publike pritet të përfundojë sot, me votimin e mocionit të partive opozitare ose rezolutën e pozitës. Si mocioni i opozitës, ashtu edhe rezoluta e pozitës, janë për vazhdimin e privatizimit, megjithatë sipas tyre dallon mënyra e procesit të privatizimit.
Përfaqësuesit e PDK-së, thonë se sot do të hidhen në votim dy dokumente, njëri që kërkon ndërprerjen e procesit të privatizimit dhe tjetri për vazhdimin e këtij procesi.
Por, ata të LDK-së, thonë se mocioni i subjekteve opozitare nuk është kundër procesit të privatizimit, por kërkon transparencë dhe llogaridhënie.
Kurse, në AAK-ja edhe pse kanë nënshkruar mocionin, thonë se do të kërkojnë një mes, ndërmjet rezolutës dhe mocionit.
Kurse pas votimit votimit të këtyre dy dokumenteve, seanca vazhdon me interpelancën e Ministrit Enver Hoxhaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, lidhur me gjendjen në politikën e jashtme të Kosovë. /rtk/