ADZM përgatit sezonin, rrit kujdesin për natyrën, Dardha: Zyra turistike në Alpe e Velipojë, fokus te mjedisi

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër ka vendosur në fokus mbrojtjen e natyrës dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e turizmit në rajon. Drejtori i ADZM-së në Shkodër, Agim Dardha, deklaroi se janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për hapjen e zyrave turistike gjatë sezonit veror, si në zonën e Alpeve ashtu edhe në Velipojë.
“Po përgatitemi për hapjen e pikave të informimit dhe shpërndarjen e broshurave në bashkëpunim me agjencitë turistike që të kemi një sezon turistik sa më të qëndrueshëm”, tha Dardha.
Sipas tij, një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe zonave me rëndësi të madhe natyrore.
“Vitet e fundit kemi patur një rritje të numrit të vizitorëve në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna”, u shpreh Dardha.
Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e planit mbetet edhe menaxhimi i mbetjeve.
“Aksionet tona për pastrimin e territorit vazhdojnë. Të premten kemi një aksion kombëtar për plazhe të pastra”, theksoi Dardha.
ADZM Shkodër synon të konsolidojë përpjekjet për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit, duke krijuar kushte më të mira për vizitorët dhe duke mbrojtur vlerat natyrore që e bëjnë këtë zonë unike.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/