AER, Goergen: Shqipëria, konsolidim politikave rajonale
TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i AER-së, Pascal Goergen ka deklaruar sot se vendi yne po ecën drejt konsolidimit të politikave rajonale dhe përgatitjes me konceptet europiane të strukturës rajonale.
Deklarata eshte bere sot gjate takimit qe ai zhvilloi me kreun e qeverise, Sali Berisha.
Misioni i Asamblesë së Rajoneve, tha ai, lehtësohet mjaft, kur politikat e qeverive ndaj rajoneve synojnë forcimin e bashkëpunimit midis tyre.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha tha se zhvillimi rajonal përbën një prioritet dhe qeveria e vlerëson atë, me rëndësi të posaçme, për të afruar politikat e qeverisë me kërkesat e qytetarëve dhe të komuniteteve lokale dhe si një mjet i fuqishëm në përpjekjet për zhvillimin ekonomiko-social dhe kundër varfërisë.
“Përpjekjet janë të vazhdueshme për të forcuar rolin e autoriteteve rajonale dhe krijimin e kushteve e kapaciteteve administrative për thithjen e fondeve në kuadrit e programit të IPA-s. Modeli ynë rajonal ka dhënë rezultat, por ne synojmë konsolidimin e këtij modeli”- tha Berisha.
Goergen shprehu mbështetjen e AER-së në zhvillimin e konsolidimin e këtyre politikave, përmes rritjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave.
“Shqipëria është në rrugën e integrimit europian dhe kjo, padyshim, është një arsye më shumë, për të besuar në të ardhmen e rajoneve shqiptare”- tha ai.