E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AF Elbasani i beson Nevil Dedes

Elbasani la pas disa sezone të turbullta dhe tashmë, një emër dhe pronësi të re, është rikthyer në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë e Parë. Dhe AF Elbasani, siç njihet tashmë klubi verdheblu, është kthyer tek një njohje e vjetër për ta drejtuar sezonin e ardhshëm, teksa stoli i është besuar Nevil Dede. “Zyrtare: Nevil Dede trajner i Elbasanit”, – shkruhet në një njoftim të shkurtër të klubit verdheblu, të postuar në profilet e tij në rrjetet sociale.

“Ju njoftojmë zyrtarisht se Nevil Dede do të jetë “timonieri” i ekipit verdheblu për sezonin e ardhshëm”, – shkruan më tej njoftimi në fjalë, që më tej sqaron: “Prezantimi i trajnerit Dede do të zhvillohet të mërkurën, në orën 13:00, në mjediset e Stadiumit “Elbasan Arena”. AF Elbasani siguroi ngjitjen në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, duke triumfuar në grupin e tij, ndonëse në finalen e madhe për titullin “kampion”, u mund nga Vora.

Por pak javë para fundit të sezonit, klubi ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin vendas, Gentian Stojku dhe ndihmësin e tij, Elton Ceno, dhe ekipin e drejtoi në vazhdim Erjol Merxha. Por të hënën, ish-futbollisti që është shpallur kampion në fillim të viteve 2000 me Elbasanin, rikthehet tashmë të drejtojë skuadrën që do të provojë të konsolidohet në Kategorinë e Parë, pse jo, të provojë edhe ngjitjen në Kategorinë Superiore. Kujtojmë se sezonin që sapo u mbyll, Nevil Dede drejtoi skuadrën e Dinmos.

Por, kur blutë kryeqytetas nisën të lëkundeshin, duke vënë në dyshim ngjitjen në Superiore, trajneri u shkarkua nga drejtuesit e Dinamos, duke u zëvendësuar me Dritan Mehmetin. Para Dinamos, Nevil Dede ka drejtuar Erzenin, disa herë Tiranën, Kombëtaren e Nën-19-vjeçarëve, por edhe Kastriotin, Luftëtarin, Laçin dhe ka qenë edhe ndihmëstrajner i Shkëlqim Muçës tek Skënderbeu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›