E Diel, 1 Nëntor 2026

AFD kryeson sondazhet ndërsa CDU përballet me presion politik. Kancelari Merz refuzon dorëheqjen

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka hedhur poshtë mundësinë e largimit nga detyra para përfundimit të mandatit, pavarësisht rezultateve të dobëta të CDU-së. “Jam zgjedhur për katër vjet dhe dua që këto katër vite t’i përdorim për ta nxjerrë vendin nga kjo periudhë e vështirë”, deklaroi Merz në Berlin.

Ai tha se synon të mbajë funksional koalicionin qeverisës mes CDU/CSU-së dhe socialdemokratëve, duke shtuar se do të bëjë gjithçka për suksesin e tij.

Merz mbrojti punën e qeverisë dhe tha se në 16 muaj janë ndërmarrë më shumë reforma se në shumë vite të mëparshme. Por presioni ndaj kancelarit është rritur pas humbjes së CDU-së në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt dhe rënies së mbështetjes në rang kombëtar.

Një sondazh i GMS-së e rendit AfD-në në 30 për qind, ndërsa CDU/CSU ka zbritur në 20 për qind dhe SPD në 11 për qind. Në zgjedhjet në Saksoni-Anhalt, AfD-ja mori 43,8 për qind të votave, ndërsa CDU-ja vetëm 17,2 për qind.

Këto rezultate kanë shtuar zërat për të ardhmen politike të Merzit, ndërsa si një prej emrave të mundshëm për drejtimin e CDU-së është përmendur Hendrik Ëüst.

Megjithatë, një ndryshim në krye të CDU-së nuk do të sillte automatikisht zgjedhje të parakohshme, pasi Bundestagu mund të zgjidhte një kancelar të ri.

Ndërkohë, zgjedhjet e ardhshme rajonale në Mecklenburg-Vorpommern dhe Berlin pritet të jenë një tjetër provë për Merzin dhe koalicionin e tij qeverisës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›