AFGANISTAN – 622 viktima pas një tërmeti 6,0 ballësh

KABUL, 1 shtator /ATSH-AA/ – Autoritetet kanë nisur një operacion të madh shpëtimi në provincën lindore të Afganistanit, Kunar, e cila u godit nga një tërmet me magnitudë prej 6 ballësh të dielën vonë, kur shumica e banorëve ishin në gjumë, duke vrarë mbi 622 persona, thanë zyrtarët.
Administrata ka vendosur helikopterë për të shpëtuar dhe transportuar nga ajri të plagosurit, pasi rrugët janë bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut të cilat po i pengojnë ekipet e shpëtimit të arrijnë në disa zona të prekura, tha një zyrtar i Ministrisë së Informacionit për Anadolu.
Më shumë se 620 persona janë vrarë dhe të paktën 1 000 të tjerë janë plagosur, ndërsa numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet, shtoi zyrtari.
Vendasit e përshkruan atë si një nga tërmetet më të fuqishme që kanë goditur vendin.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) regjistroi tërmetin në orën 23:47 sipas kohës lokale, të vendosur 27 kilometra në lindje-verilindje të Jalalabadit në një thellësi prej 8 kilometrash.
Viktima janë raportuar në rrethet Nur Gal, Sawki, Watpur, Manogi dhe Chapa Dara të provincës Kunar.
Zyrtari tha se shifrat për numrin e të vdekurve dhe të plagosurve nuk janë përfundimtare sepse zyrtarët ende po komunikojnë me banorët vendas në shumë zona të largëta dhe ekipet e ndihmës janë duke mbërritur.
Rrugët që të çojnë në Dewa Gul në distriktin Sawki dhe veçanërisht në Mazar Dara në distriktin Nur Gul janë bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut. /os/