E Diel, 1 Nëntor 2026

AI mund të zhdukë njerëzimin? Studimi: Rreziku është mbi 10% brenda dhjetë viteve të ardhshme

Më shumë se 10 për qind është mundësia që inteligjenca artificiale të çojë në zhdukjen e njerëzimit brenda dekadës së ardhshme, sipas një prej studiuesve të Anthropic. Evan Hubinger, i cili merret me sigurinë dhe kontrollin e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale, thotë se rreziku duhet marrë seriozisht.

“Personalisht, mendoj se ka më shumë se 10% gjasa që kjo të ndodhë brenda dekadës së ardhshme”, shkroi ai në rrjetin social X. Hubinger pranoi se Anthropic po përpiqet të gjejë mënyra për të kontrolluar superinteligjencën, por tha se kompania ende nuk ka një plan të sigurt dhe nuk është qartësisht në rrugën e duhur.

Shqetësimi lidhet me modelet e ardhshme të inteligjencës artificiale, të cilat mund të jenë në gjendje të përmirësojnë vetveten dhe të bëhen shumë më të afta se njerëzit. Paralajmërimi vjen pasi një tjetër studiues i Anthropic, Jacob Coxon, dha dorëheqjen duke kritikuar garën e kompanive të teknologjisë për zhvillimin e superinteligjencës.

Coxon akuzoi kompanitë se po marrin rreziqe të mëdha me pasoja që mund të prekin të gjithë shoqërinë. Ai paralajmëroi se, në skenarët më agresivë, zhvillimi i inteligjencës artificiale mund të dalë jashtë kontrollit që në fund të vitit 2027. Si Anthropic, ashtu edhe OpenAI thonë se i marrin seriozisht këto rreziqe dhe po investojnë në sigurinë e sistemeve të tyre. Por pavarësisht paralajmërimeve, kompanitë vijojnë garën për modele gjithnjë e më të fuqishme, duke e mbajtur të hapur debatin për kufijtë dhe kontrollin e inteligjencës artificiale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›