E Diel, 1 Nëntor 2026

AKEP miraton rregulloren e re, risi konkrete për përdoruesit e telefonisë celulare

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare informon se, ditën e sotme bordi i AKEP zhvilloi mbledhjen e radhës, gjatë së cilës miratoi ndryshime në kuadrin rregullator për mbrojtjen e konsumatorëve dhe autorizoi testimin e teknologjisë satelitore Direct-to-Device (D2D – IMT).

Rregullorja e re parashikon risi konkrete për përdoruesit e telefonisë celulare: vlefshmëri 12-mujore të kartës SIM, afat minimal prej 180 ditësh për kredinë monetare, mundësi rimbushjeje me vlera të ulëta, si dhe të drejtën për të kërkuar rimbursimin e kreditit monetar të papërdorur kur numri portohet te një operator tjetër.

Rregullorja parashikon gjithashtu më shumë transparencë për tarifat dhe ruajtjen e numrit celular për të paktën 12 muaj pas çaktivizimit.

Nga 1 janari 2027, nuk do të lejohen klauzola që parashikojnë rritje automatike të tarifave mujore në përqindje ose sipas indekseve të ndryshueshme, përfshirë Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), kur vlera konkrete e tarifës së ardhshme nuk është përcaktuar në momentin e lidhjes së kontratës.

Masat do të zbatohen sipas afateve të përcaktuara në rregullore, duke nisur nga data 1 janar 2027.

Gjithashtu Bordi i AKEP autorizoi kompaninë One Albania për testimin gjatë një periudhe 120-ditore të teknologjisë Direct-to-Device (D2D), në bashkëpunim me Starlink/SpaceX.

Kjo teknologji mundëson lidhjen e drejtpërdrejtë të telefonave celularë të përshtatshëm me satelitët, duke synuar zgjerimin e mbulimit në zona ku sinjali i rrjeteve tokësore është i kufizuar

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›