E Diel, 1 Nëntor 2026

AKSK, marrëveshje bashkëpunimi me tri shkolla profesionale për sigurinë kibernetike

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me tre institucione të arsimit profesional, me synim përgatitjen e të rinjve dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja në fushën e sigurisë kibernetike.

Marrëveshjet u nënshkruan në kuadër të Future2Tech 2026 me shkollën e mesme profesionale “Herman Gmeiner”, Institutin “Harry T. Fultz” dhe shkollën e mesme teknike elektrike “Gjergj Canco”.

Bashkëpunimi synon të afrojë arsimin profesional me ekspertizën e AKSK-së në fushën e sigurisë kibernetike, duke u mundësuar nxënësve të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për një sektor në rritje dhe për profesione të lidhura me mbrojtjen e sistemeve dhe shërbimeve digjitale.

Në vijim të nënshkrimit të marrëveshjeve, nxënësit e tre shkollave morën pjesë edhe në një trajnim për higjienën kibernetike, ku u njohën me praktika të përditshme për përdorimin më të sigurt të teknologjisë.

Për AKSK-në, bashkëpunimi me institucionet arsimore është pjesë e angazhimit për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në sigurinë kibernetike dhe për nxitjen e interesit të të rinjve për këtë fushë.

Edukimi i hershëm mbi sigurinë e pajisjeve, të dhënave dhe sistemeve digjitale synon të krijojë një bazë të qëndrueshme për të rinjtë që përgatiten për profesione të lidhura me teknologjinë dhe sigurinë kibernetike.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›