AKU dhe Policia e Shtetit aksion në tregun e Milotit, sekuestrohen produkte ushqimore të pasigurta

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar një kontroll në tregun e Milotit, ku janë konstatuar shkelje të kushteve higjeno-sanitare.
Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar sasi mishi dhe produktesh bulmeti, të cilat tregtoheshin në mënyrë të paligjshme, të ekspozuara në mes të baltës dhe pa asnjë standard sigurie ushqimore, duke përbërë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Tregu i Milotit, i cili funksionon kryesisht ditëve të diela, konsiderohet vend grumbullimi i paligjshëm, pasi nuk plotëson kriteret ligjore dhe higjeno-sanitare të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Policia e Shtetit bëjnë thirrje për respektimin e rregullave të sigurisë ushqimore dhe paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të ligjit.
/rtsh.al/