AKUK: Uji i errët në dalje të hidrovorit të Hamallajt, pasojë e baticës dhe sedimenteve

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) ka reaguar sot lidhur me ngjyrën e errët të ujit të konstatuar një ditë më parë në një segment të vijës bregdetare pranë Hidrovorit të Hamallajt, në zonën e Gjiri i Lalëzit, në Durrës.
Agjencia sqaron se në Gjirin e Lalëzit nuk shkarkohen ujëra të ndotura në det, duke theksuar se ujërat e ndotura trajtohen në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura, i cili funksionon 24 orë në 24.
Sipas njoftimit, pas trajtimit, shkarkimi kryhet në Përroin e Tarinit, në përputhje me parametrat e përcaktuar.
Lidhur me ngjyrën e errët të vërejtur në dalje të kanalit të hidrovorit, Agjencia shpjegon se fenomeni lidhet me baticën dhe zbaticën, të cilat kanë krijuar përzierje të ujit të detit me ujin e kanalit.
Ky i fundit, sipas Agjencisë, përmban baltë, llum dhe sedimente të tjera, duke shkaktuar ndryshimin e ngjyrës së ujit në zonën e daljes.
“Shkarkime të tjera të ujërave të zeza nuk ka dhe nuk ka pasur. Sot janë marrë mostra uji në të gjithë zonën dhe, në vijim, do të publikojmë parametrat teknikë të ujit në dalje të kanalit të hidrovorit”, thekson Agjencia.
Për verifikimin e situatës, sot janë marrë mostra uji në të gjithë zonën. Sipas AKUK, në vijim do të publikohen parametrat teknikë të ujit në dalje të kanalit të hidrovorit.
Reagimi i Agjencisë vjen pas shqetësimeve të ngritura nga banorë dhe pushues lidhur me ndryshimin e ngjyrës së ujit në këtë pjesë të vijës bregdetare.
/e.xh/r.e/a.f/