AKUZAT e forta/ Gjinishi: Komuniteti Mysliman është kthyer në seksion të PD-së. Nëpër xhami bëhej thirrje të votohej Basha
Teologu i njohur Ermir Gjinishi e ka ngritur prej kohësh zërin për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës. Në këtë intervistë për JAVA Gjinishi shprehet se debati rreth xhamisë së re është pozitiv. Ai thotë se duhet dëgjuar zëri i ambientalistëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e parkut, duke shtuar se kjo përkon edhe me kontekstin historik të Namazgjasë. Gjinishi shprehet se politika instrumentalizoi ndërtimin e xhamisë për interesat e saj. Mafia politika ka shtrirë tentakulat e saj edhe në institucionet fetare, thotë ai dhe shton se projekti i xhamisë së re është një ndërmarrje mafioze
Zoti Gjinishi, si e shihni debatin më të fundit për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës?
Është një debat konstruktiv që na shërben të gjithëve. Komunitetet fetare janë ente autonome brenda shtetit, organizohen dhe administrohen brenda vetes sipas kanoneve, statuteve dhe ligjeve të shtetit. Më parë, ishim mësuar të diskutonim mbi fetë vetëm kur ndodhte diçka, mundësisht i etiketuar si skandal, brenda komuniteteve apo besimtarëve të tyre, kryesisht fenomene që binin në sy jashtë kultit. Kësaj here çështja është ndryshe, debatohet direkt për një objekt kulti. Fakti që në këtë debat janë përfshirë shoqata, lëvizje civile apo ambientaliste është një ogur i mirë, sepse na çliron të gjithëve nga ideja e margjinalizimit të fesë e besimtarëve, na afron më tepër me njëri-tjetrin, pavarësisht bindjeve që kemi. Veç kësaj, është një emancipim i shoqërisë, ku diversiteti nuk është më barrierë, por një mundësi reale për të komunikuar e për ti diskutuar gjërat bashkërisht, në interes të të gjithëve dhe në respekt të këtij diversiteti.
Këto lloj debatesh shembin muret ndarës të paragjykimeve e vlerësimeve emocionale, të cilat nëse nuk shprehen, keqkuptohen dhe kthehen në urrejtje. Nuk është një debat kundër fesë, përkundrazi, njerëz jofetarë ose më korrekt jopraktikantë besimesh, kanë ngritur zërin që feja të mos bëhet pjesë e zullumit politik, i cili na ka zënë me imponim çdo hapësirë të jetës normale, madje dhe atë shpirtërore. Nëse besimtarët xhaminë e kanë një vend ku kryejnë ritet e tyre, të tjerët po e shohin si një kult, imazhi i së cilës i bën mirë të gjithëve, edhe atyre që sjanë praktikantë, nëse vjen në harmoni me të natyrshmen.
Sheshi i Namazgjasë për ambientalistët është një pikë e gjelbër që na përmirëson sadopak frymëmarrjen, por për besimtarët myslimanë është shumë më tepër se kaq. Tirana është një qytet që u themelua me një xhami, një hamam dhe një furrë buke. Vetëm pak metra larg nga ky shesh, Hafiz Ibrahim Dalliu, Sheh Pazari dhe patriotë të tjerë tiranas ngritën flamurin e pavarësisë më 1912. Është i vetmi shesh i mbetur, që dëshmon kontributet e myslimanëve në kryeqytet. Nuk e di çfarë duhet të ketë më tepër një vend, që të gëzojë statusin e monumentit historik.
Namazgjaja i bën krenarë myslimanët për atë çka simbolizon, ndërsa prishja e saj i fshin nga kujtesa historike vlerat religjioze dhe kombëtare të tyre. Besimtarët e duan xhaminë, por jo duke ia shfarosur historinë. Komuniteti Mysliman bën mirë që ti dëgjojë këto zëra, të cilët indirekt po kontribuojnë në ruajtjen e kësaj trashëgimie historike. Besimi mysliman është universal dhe në tematikën e tij përfshin dhe përkujdesjen ndaj ambientit. Në një sentencë profetike thuhet: Nëse fillon Kijameti e në dorën tënde ke një fidan peme, mbille atë! Komuniteti Mysliman duhet të rikonsiderojë qëndrimin e tij, të ndërpresë menjëherë lojërat politike që e kanë devijuar krejtësisht nga misioni i tij.
Ka pasur akuza në rritje, se çështja e ndërtimit të xhamisë u politizua në prag të zgjedhjeve. Ju si mendoni?
Është e vërtetë. Politika e instrumentalizoi ndërtimin e xhamisë për interesa meskine të pamoralshme. Retrospektiva flet qartë. Kalvari i përpjekjeve për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë daton në fillim të viteve 90, kur u dha një leje në lulishten përballë parlamentit dhe papritur, pa asnjë vendim pezullimi, u bllokua. Presidenti i atëhershëm Berisha, i cili mori pjesë vetë në ceremoninë e vendosjes së gurit themeltar, asnjëherë nuk sqaroi përse u bllokua kjo xhami. Që atëherë përpjekjet rifilluan kur bashkia drejtohej nga z.Rama. U ngritën grupe të përbashkëta pune për ta finalizuar, por pasi sheshi i Namazgjasë u shpall monument kulture, Bashkia nuk kishte juridiksion mbi të. Negociatat vazhduan deri në miratimin e planit francez, kur xhamia u vendos të ndërtohej pas Pallatit të Kulturës, ku ne posedonim një truall vakëf. Më parë zoti Nano i ofroi Komunitetit Musliman truallin tek ish- ekspozita, për të ngritur bashkë me xhaminë edhe universitetin teologjik, madje ofroi dhe financimin e këtij të fundit, por z. Muça e refuzoi me heshtje.
Me ardhjen e PD-së në pushtet, qeveria ushtroi presion mbi Komunitetin Mysliman për mosvazhdimin e projektit. Tentakula të pushtetit, në një farë mënyre ja arritën qëllimit falë dhe personalitetit të dobët të z.Muça, i cili preferoi buzëqeshjen e qeveritarëve apo mbarimin e ndonjë halli personal, në këmbim të xhamisë dhe interesave të besimtarëve. Ka një të vërtetë të madhe që duhet thënë. Zoti Rama dhe Bashkia e Tiranës ka qenë gjithmonë në dispozicion për finalizimin e projektit, por komuniteti ngjasonte më shumë me një seksion të PD-së, sesa me një institucion fetar. Qeveria, dobësinë e kryetarit Muça e shfrytëzoi për ta mbajtur peng xhaminë, për ta shfrytëzuar politikisht, pa ofruar asnjë zgjidhje nga ana e saj. Besimtarët janë pjesa më e pastër në këtë histori të pisët. Ata nuk u bënë pjesë e këtyre lojërave politike. Ishin besimtarët dhe intelektualë të Tiranës që i kërkuan zotit Rama të finalizonte projektin, kur me një donacion të Kuvajtit, i cili kish marrë përsipër dhe financimin e qendrës së kryeqytetit, u organizua konkursi ndërkombëtar për xhaminë. Për gjatë gjithë fazave të konkursit, Komuniteti Mysliman mori pjesë duke dhënë sugjerimet e tij, por ditën e shpalljes së projektit fitues, Komuniteti për çudi solli përfaqësues një pjesëtar të stafit të kandidatit të PD-së për Tiranën z.Basha, që nuk kishte asnjë funksion në Komunitet.
Menjëherë pas shpalljes së projektit fitues, kryeministri i vendit, deri atëherë i heshtur, në një mbledhje qeverie, vendosi për ndërtimin e xhamisë tek Namazgjaja. Pas kësaj u duk qartë se Komuniteti Mysl