E Martë, 3 Nëntor 2026

AMAN dhe Komiteti i Lojërave Mesdhetare bashkojnë forcat për promovimin e “Taranto 2026”

TARANTO, 17 prill /ATSH-Gjergji Mima/ AMAN dhe Komiteti i Lojërave Mesdhetare bashkuan forcat për të promovuar një prej aktiviteteve kryesore ndërkombëtare në Mesdhe, Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

Në bashkëpunim me Komitetin Organizativ të Lojërave të 20-ta Mesdhetare “Taranto 2026”, AMAN (Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve) ka organizuar një seminar kushtuar ngjarjes sportive shumëdisiplinore të shumëpritur që do e bëjnë qytetin jugor italian protagonist në vitin 2026.

Seminari me titull “Lojërat e 20-ta Mesdhetare Taranto 2026: Një trashëgimi e sportit, Qëndrueshmëria dhe Dialogu Multikulturor”, u mbajt në mjedisin piktoresk të Kalasë Aragonese brenda sallës së konferencave të ngritur në fshatin “IN Italia” në bordin e anijës “Amerigo Vespucci”.

Anija historike me vela e marinës italiane do të jetë e ankoruar në kalatën e kështjellës nga 16 deri më 22 prill, duke ofruar një përvojë unike për autoritetet dhe pjesëmarrësit e pranishëm.

“Përmes këtij bashkëpunimi me AMAN-in, ne synojmë të prezantojmë qytetin e Taranto-s si qendra e Lojërave Mesdhetare 2026 në vendet e ‘Mare Nostrum’ dhe të shfaqim punën intensive që po bëjmë për të siguruar mikpritjen e nivelit të lartë për të gjithë pjesëmarrësit: atletët, delegacionet, mediat, entuziastët e sportit dhe dashamirësit tanë”, shpjegoi Massimo Ferrarese, Komisioner Qeveritar dhe President i Komitetit Organizativ i Lojërave XX Mesdhetare Taranto 2026.

“Për këtë event me AMAN-in, ne donim shumë që “Amerigo Vespucci” të ishte i pranishëm. Taranto është një simbol i përsosmërisë, sportit dhe pasionit që ne ndajmë me ‘Mbretëreshën e Deteve”, shtoi ai.

Ferrarese u shpreh se, “Lojërat Mesdhetare përfaqësojnë më shumë sesa sportin, por duhet të përbëjnë një urë që bashkon 26 shtete në 3 kontinente”.

“Taranto nuk është vetëm zemra organizative, por është edhe një qytet me histori mijëvjeçare dhe ne po ndërtojmë strukturat për të pritur këto Lojera Mesdhetare”, tha ai.

Ai tha se në këto Lojëra mesdhetare do të marrin pjesë 26 shtete, 5 mijë atletë, 28 federata.

“Do të përfshihen 4 provinca, 21 komuna, 41 impiante lojërash. Kanë nisur kantieret kryesore të këtyre lojërave”, tha ai.

“275 milionë euro janë vënë në dispozicion nga qeveria për impiantet dhe 50 milionë euro për organizimin e lojërave”, shtoi ai.

Ndërsa Stefano De Alessandri, CEO i ANSA dhe President i AMAN, u shpreh se Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve, aktualisht kryesuar nga ANSA, synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet agjencive të lajmeve të rajonit dhe ndan vlerat thelbësore të Lojërave Mesdhetare: miqësi, paqe dhe respekt. Bashkimi i më shumë se 20 agjencive të lajmeve në Taranto në pritje të Lojërave të 20-ta Mesdhetare, krahas pranisë së anijes  “Amerigo Vespucci” dhe “IN Italia Village”, është një mundësi për të promovuar vlerat e përbashkëta dhe thellimin e rrjetit të shkëmbimit të informacionit në të gjithë pellgun e Mesdheut.

Duke nënvizuar rëndësinë e ngjarjes si për qytetin ashtu edhe për Lojërat Mesdhetare, ministri italian për Sportin dhe Rininë, Andrea Abodi theksoi në fjalën e tij të mbylljes së aktivitetit mbështetjen institucionale për nismën dhe rëndësinë e saj për rajonin dhe dialogun mesdhetar.

“Anija “Amerigo Vespucci” është më e bukura në botë dhe ky udhëtim rreth botës i ka dhënë dhe më shumë vlerë. Falënderoj ANSA-n që ka sjellë këtu gazetarë nga vendet të cilat marrin pjesë në këto Lojëra Mesdhetare. Më pëlqen termi Aleancë sepse tregon bashkëpunim. Në duam t’i japim Tarantos mundësi të reja”, tha ai.

Seminari përfaqësoi një kontribut të rëndësishëm për dialogun dhe ndarjen e njohurive dhe përgatitjen për “Taranto 2026”, me synim forcimin e lidhjes mes sportit, kulturës, qëndrueshmërisë dhe dialogut ndërkombëtar brenda rajonit të Mesdheut. /j.p/

Seminar mbi Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, foto: Gjergji Mima 1 nga 17

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›