AMF miraton rregulloren e re, çmimet e sigurimit të mjeteve mbi bazën e riskut

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Duke nisur nga viti i ardhshëm, çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve do të jenë të diferencuara dhe bazuar në disa faktorë që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar aksident nga drejtuesit e mjeteve.
Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes (AMF) ka miratuar në mbledhjen e fundit rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Referuar rregullores, në primin e sigurimit kompanitë duhet të llogarisin disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, fuqia motorike e mjetit, mosha e të siguruarit, eksperienca në drejtimin e mjetit motorik, përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ, qarku i regjistrimit të mjetit, apo vjetërsia e mjetit.
Rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre.
Këta faktorë risku nuk do të mund të përdoren për produktet e sigurimit kufitar dhe të kartonit jeshil.
Shoqëritë e sigurimit duhet të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë para aplikimit të tarifave të reja të primit.
Autoriteti ka të drejtën e urdhërimit të rishikimit të tarifave të reja të primeve, nëse vëren se shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në përputhje me parimet aktuariale dhe metodologjinë e përdorur për përfshirjen e faktorëve të riskut të përcaktuar me këtë rregullore.
Shoqëritë e sigurimit nuk mund t’i ndryshojnë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik. /j.p/