ANALIZË – Armëpushim i zgjatur, por nën bllokadë, strategjia e dyfishtë e SHBA-së ndaj Iranit

UASHINGTON/ TEHERAN, 22 prill /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dje në mbrëmje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zgjasin armëpushimin në konfliktin me Iranin, pas një kërkese nga ana e Pakistanit.
“Na është kërkuar të shtyjmë sulmin ndaj Iranit deri në momentin që liderët dhe përfaqësuesit e tij të paraqesin një propozim të unifikuar”, tha Trump në një postim në rrjetin social “Truth Social”.
Ai shtoi se bllokada detare amerikane do të mbetet në fuqi, ndërsa armëpushimi – që ishte parashikuar të përfundonte sot – do të zgjatet deri në paraqitjen e propozimit dhe përfundimin e diskutimeve, në një mënyrë ose në një tjetër.
Mbetet e paqartë nëse Izraeli do t’i përmbahet armëpushimit, siç ka bërë më parë. Nga ana tjetër, nuk pati reagim të menjëhershëm nga Irani.
Ndërkohë, përpjekjet për të mbajtur një raund të ri bisedimesh midis SHBA-së dhe Iranit, në Pakistan vazhdojnë ende, ndërsa paqartësia mbizotëronte vetëm disa orë para përfundimit të armëpushimit dyjavor.
Sipas medias amerikane, plani për nisjen e delegacionit amerikan në Pakistan, të kryesuar nga zëvendëspresidenti JD Vance, është shtyrë.
Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi se përfaqësuesit iranianë nuk do të udhëtonin drejt Pakistanit për bisedime, duke argumentuar se SHBA-ja nuk kishte hequr dorë nga “kërkesat e tepruara” dhe se nuk është arritur një progres domethënës.
Në këto kushte, pjesëmarrja në negociata do të ishte “humbje kohe”.
Irani: Bllokada e porteve është akt lufte
Teherani akuzoi sërish Uashingtonin për shkelje të armëpushimit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi deklaroi në rrjetin X se bllokimi i porteve iraniane ishte një akt lufte dhe për rrjedhojë shkelje e armëpushimit.
Ai shtoi se sulmi i raportuar ndaj një anijeje tregtare dhe “marrja peng” e ekuipazhit të saj ishte një shkelje edhe më e rëndë.
Pentagoni bëri të ditur se forcat amerikane kishin ndaluar në anije cisternë në orët e para të së martës, e cila më herët ishte sanksionuar nga Uashingtoni për bashkëpunim me Iranin.
Trump sinjalizoi gjatë fundjavës se mbetej i hapur për negociata dhe shprehu optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje.
“Mendoj se ata nuk kanë zgjidhje tjetër”, tha Trump në një intervistë për CNBC, duke iu referuar një raundi të dytë negociatash.
Më herët, Pakistani u bëri thirrje të dyja palëve që të zgjasnin armëpushimin.
Ministri i Jashtëm, Ishaq Dar, një nga aktorët kryesorë të ndërmjetësimit, pas javësh konflikti, deklaroi se vendi do të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje përmes dialogut dhe diplomacisë.
Raundi i parë i bisedimeve në Islamabad, më 11 prill, përfundoi pa rezultat.
Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbetet bllokada detare amerikane ndaj anijeve dhe porteve iraniane.
Trump ka theksuar se kjo masë do të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa Teherani e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në bisedime me heqjen e saj.
Pavarësisht pasigurive, zyrtarë pakistanezë shprehën optimizmin se Irani mund t’i bashkohet përfundimisht negociatave.
“Nuk kanë rrugë tjetër përveçse të përfshihen”, tha një zyrtar i sigurisë, në kushte anonimiteti. //a.i/