E Enjte, 5 Nëntor 2026

ANALIZË – BE reagon me shpejtësi, pas urgjencës së zjarreve në Evropë

– Kjo analizë është kontribut edhe i Agjencisë Telegrafike Shqiptare –

BRUKSEL, 23 gusht /ATSH-ENR/ – Mekanizmi i reagimit ndaj emergjencave të Bashkimit Evropian po funksionon me shpejtësi të plotë ndërsa zjarret e egra po shkatërrojnë Evropën këtë verë. Shumë vende, përfshirë Greqinë, Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Portugalinë, luftojnë për të kontrolluar flakët – partnerët e tyre të BE-së po dërgojnë ndihmë.

”Ndërsa zjarret vazhdojnë të prekin shumë vende evropiane, Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Bashkimit Evropian (ERCC) po punon 24/7 për të kanalizuar ndihmën për të ndihmuar në trajtimin e flakëve”, tha Komisioni Evropian më herët në gusht.

Gjatë korrikut dhe gushtit, zjarret janë përfshirë në disa vende evropiane, duke përfshirë Greqinë, Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Portugalinë. Si përgjigje, BE-ja ka aktivizuar Mekanizmin e saj të Mbrojtjes Civile (EUCPM) për vendet që kanë nevojë për ndihmë nga partnerët e tyre për të luftuar flakët shkatërruese dhe vdekjeprurëse.

Për të rritur masat e gatishmërisë për sezonin e zjarrit të kësaj vere, Komisioni ka ngritur rescEU dhe Planin Evropian të Mbrojtjes Civile me kapacitete ajrore që tani përfshijnë 28 aeroplanë dhe katër helikopterë të stacionuar në dhjetë shtete anëtare.

Sipas Komisionit Evropian, 556 zjarrfikës nga dymbëdhjetë vende janë të paravendosur në mënyrë strategjike nëpër vende kyçe në Evropë – në Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë – të gatshëm për të ndihmuar brigadat lokale të zjarrfikësve nëse shpërthejnë zjarre në pyje.

Çfarë është Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së?

Komisioni Evropian themeloi EUCPM në vitin 2001. Ai synon të forcojë bashkëpunimin midis vendeve pjesëmarrëse për mbrojtjen civile, për të përmirësuar parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj fatkeqësive.

Çdo vend mund të kërkojë ndihmë nëpërmjet EUCPM kur goditet nga një emergjencë. Komisioni luan një rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj fatkeqësive në mbarë botën, duke kontribuar në të paktën 75 për qind të kostove të transportit dhe/ose operacionale të dislokimeve.

Përveç të gjitha vendeve të BE-së, marrin pjesë edhe Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Islanda, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia, Turqia dhe Ukraina, edhe pse nuk janë (ende) anëtarë të bllokut. Bosnje-Hercegovina, për shembull, iu bashkua zyrtarisht EUCPM-së në vitin 2022 – një moment historik për vendin në rrugën drejt dhënies së statusit të kandidatit në BE po atë vit.

Edhe pse vendi vuajti nga fatkeqësitë natyrore, si zjarret e mëdha këtë verë dhe përmbytjet në maj 2023, Bosnje-Hercegovina ende nuk ka paraqitur një kërkesë zyrtare për ndihmë direkte përmes këtij mekanizmi. Në vend të kësaj, vitin e kaluar ajo përdori vetëm disa shërbime, të tilla si harta satelitore përmes Shërbimit të Menaxhimit të Emergjencave ”Copernicus”, për të vlerësuar dëmet.

Athina në flakë: “Solidariteti i BE-së në veprim”

Më herët në gusht, një zjarr masiv në periferitë verilindore të Athinës detyroi mijëra banorë të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe shkaktoi një apel të qeverisë greke për ndihmë ndërkombëtare. Sipas ekspertëve, kjo ishte hera e parë që një zjarr i madh i afrohej kaq shumë kryeqytetit grek.

Pas zjarreve, Greqia i bëri thirrje zyrtarisht BE-së për ndihmë më 12 gusht. Që atëherë, disa vende anëtare të BE-së kanë dërguar ndihma në vend. Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se mbështetja për Greqinë përfshin dy avionë nga Italia, dy helikopterë nga Franca dhe Serbia, dhe ekuipazhe zjarrfikëse nga Republika Çeke, Franca, Italia, Rumania dhe Serbia.

Rumania ka vendosur dhjetëra zjarrfikës dhe pajisje speciale për të qenë gati për të shuar zjarret në Greqi nga 1 gushti deri më 15 shtator. Ky është viti i katërt radhazi që ajo u përgjigjet kërkesave të tilla. Zjarrfikësit rumunë kanë kryer gjithashtu misione të ngjashme në vitet e mëparshme në Francë, Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut.

Duke iu referuar mbështetjes së gjerë për Greqinë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha në një postim në X se “ky është solidariteti i BE-së në veprim”.

Mobilizimi i BE-së edhe për Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Portugalinë

Gjatë verës, BE-ja ka mobilizuar gjithashtu mbështetje për të ndihmuar në luftimin e zjarreve që prekin Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Portugalinë pasi aktivizuan mekanizmin e reagimit ndaj fatkeqësive.

Shqipëri: Dy avionë rumunë mbërritën në Shqipëri në gusht për të ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit. Ministria shqiptare e Mbrojtjes njoftoi se në datat 14 dhe 16 gusht, avionët rumunë “Spartan” dhe “Hercules” ndërhynë për të shuar zjarret në qytetet e Pogradecit dhe Beratit.

Bullgari: Bullgaria mori dhjetëra avionë, duke përfshirë aeroplanë dhe helikopterë, për të luftuar zjarret e shkaktuara nga një valë të nxehti në mes të korrikut. Qeveria bullgare ka shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë në kuadër të EUCPM.

Maqedoni e Veriut: Në mesin e korrikut, aeroplanë nga Kroacia, Serbia, Sllovenia dhe Turqia po vendoseshin në Maqedoninë e Veriut për të ndihmuar në kontrollimin e një vargu zjarresh në të gjithë vendin mes një vale të nxehti. Qindra hektarë pyje ishin djegur dhe autoritetet identifikuan 12 zjarre aktive në atë kohë.

Portugali: Qeveria portugeze njoftoi se vendosi të aktivizojë EUCPM për të luftuar një zjarr që ka shpërthyer në ishullin Madeira (një rajon autonom i Portugalisë) që nga 14 gushti. Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit të Zjarrit në Pyjet (EFFIS ) tregoi më shumë se 4930 hektarë sipërfaqe të djegur. Me këtë vendim hapet rruga që avionët Canadair të dërgohen nga Spanja, e cila tashmë kishte shpallur gatishmërinë për të kursyer dy avionë. Ata mbërritën në ishull të enjten, më 22 gusht.

Plagë të vjetra: përmbytje në Slloveni dhe Itali në 2023

Sllovenia mësoi për rëndësinë e EUCPM në zjarrin më të madh në historinë e saj në verën e vitit 2022 dhe veçanërisht përmbytjet katastrofike që prekën dy të tretat e vendit në gusht 2023. Pas përmbytjeve, vendi mori mbështetje nga mekanizmi në forma të ndryshme, nga mbështetja ajrore për shuarjen e zjarrit në rajonin e Karstit përgjatë kufirit me Italinë, tek pajisjet e rënda të ndërtimit, helikopterët dhe ndihma të tjera kundër përmbytjeve.

Në maj 2023, rajoni Emilia-Romagna në Italinë veriore u godit gjithashtu nga përmbytjet shkatërruese. Pas aktivizimit të EUCPM, dy ekipe të pompimit të ujit me kapacitet të lartë nga Sllovakia dhe Sllovenia u dërguan në Ravenna. Ndihmë të mëtejshme ishte ofruar nga Austria, Belgjika, Bullgaria, Franca, Gjermania, Polonia dhe Rumania.

Më shumë se shuarja e zjarreve: EUCPM ofron edhe në urgjencat mjekësore dhe humanitare

Ndërsa mekanizmi nxitet më së shumti nga fatkeqësitë natyrore, ndihma mund të kërkohet edhe për emergjenca të tjera, si krizat shëndetësore dhe fatkeqësitë humanitare në zonat e përfshira nga konflikti.

Më 24 korrik, u bë shpëtimi i parë i koordinuar nga BE i 16 fëmijëve palestinezë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, të cilët kishin nevojë për kujdes mjekësor. Ata u sollën nga Egjipti në Spanjë me mbështetje financiare dhe operacionale nga EUCPM, në koordinim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Fondin Palestinez të Ndihmës për Fëmijët (PCRF) dhe autoritetet palestineze.

Që nga fillimi i janarit, BE-ja ka mbështetur gjithashtu Qelinë e Koordinimit të Ekipeve Mjekësore Emergjente të OBSH-së në Gaza në Kajro, me 22 ekspertë të vendosur nga BE-ja dhe vendet pjesëmarrëse të EUCPM.

Gjatë pandemisë Covid-19, BE-ja ka koordinuar dislokimin e ekipeve mjekësore në zonat më të prekura, ka lehtësuar prokurimin e pajisjeve mbrojtëse shtesë dhe ka aktivizuar ERCC për të koordinuar mbështetjen 24/7.

Për më tepër, përballë luftës së Rusisë në Ukrainë, Komisioni Evropian po koordinon një operacion të madh nën EUCPM. 27 vendet e BE-së (plus Islanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia dhe Turqia) kanë ofruar ndihmë duke filluar nga furnizimet mjekësore dhe sendet e strehimit deri te automjetet dhe pajisjet e energjisë. BE-ja ka krijuar gjithashtu qendra logjistike në Poloni, Rumani dhe Sllovaki për të kanalizuar mallrat në Ukrainë në mënyrë më efikase./  (Nga AFP, Agerpres, ANSA, ATA, BTA, dpa, EFE, FENA, Lusa dhe STA) a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›