ANALIZË – Protestat në Iran dobësohen mes shtypjes brutale dhe ndalimit të internetit

TEHERAN, 14 janar /ATSH-DPA/- Protestat antiqeveritare në Iran duket se janë zbutur pas disa ditësh trazirash në të gjithë vendin, sipas një analize të publikuar nga Projekti i Kërcënimeve Kritike (CTP) me qendër në SHBA.
Sipas raportit, dje ishin regjistruar vetëm shtatë protesta në gjashtë provinca, një rënie e ndjeshme nga e enjtja e kaluar, ku 156 demonstrata u dokumentuan në 27 nga 31 provincat e Iranit.
CTP drejtohet nga grupet e mendimit me qendër në Uashington, Instituti për Studimin e Luftës dhe Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve.
Autorët paralajmëruan se shkalla e aktivitetit të protestës mbetet e vështirë për t’u vlerësuar për shkak të mbylljes së internetit, e cila ka kufizuar rrjedhën e informacionit jashtë vendit.
Raporti gjithashtu vuri në dukje numrin e lartë të viktimave të raportuara gjatë trazirave.
“Ky nivel brutaliteti mund të dekurajojë protestuesit dhe të ulë shkallën e aktivitetit të protestës”, thuhet në raport.
Banorët e Teheranit patën sërish mundësi sot të kryenin thirrje ndërkombëtare telefonike, për herë të parë pas disa ditësh.
Ata përshkruan një qetësi të tensionuar në të gjithë qytetin, me protestat më të mëdha masive që u zhvilluan të enjten dhe të premten e kaluar.
Forcat e sigurisë u janë përgjigjur demonstratave me forcë ekstreme.
Sipas grupit të të drejtave të njeriut “Hengaw”, më shumë se 2 500 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i protestave në fund të dhjetorit.
Numri i viktimave nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur. //a.i/