ARABI SAUDITE – 14 të vdekur nga i nxehti ekstrem gjatë pelegrinazhit të Haxhit

KAJRO, 17 qershor /ATSH-DPA/- Të paktën 14 persona nga Jordania kanë vdekur nga nxehtësia ekstreme gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, thanë sot zyrtarët.
Gjithashtu, 17 persona të tjerë janë të zhdukur”, tha Ministria e Jashtme jordaneze, sipas agjencisë shtetërore “Petra”.
Ministria fillimisht konfirmoi vdekjen e gjashtë pelegrinëve jordanezë që kishin pësuar goditje nga nxehtësia.
Autoritetet janë angazhuar për gjetjen e 17 personave të zhdukur. Gjithashtu po punohet për transferimin e trupave në Jordani dhe varrosjen e tyre.
Pelegrinazhi filloi në Mekë të premten në mbrëmje në vapë të madhe.
Për shkak të temperaturave ekstreme prej më shumë se 40 gradë Celsius, autoritetet u bënë thirrje besimtarëve të mbajnë çadra dielli.
Ata gjithashtu u këshilluan që të mos qëndrojnë jashtë gjatë periudhës veçanërisht të nxehtë të mesditës dhe të pinë shumë ujë.
Vitin e kaluar, rreth 2 milionë persona morën pjesë në pelegrinazhin në Arabinë Saudite, që është një nga pesë detyrat themelore të Islamit.//a.i/