ARRSH: Shpërthim i kontrolluar në rrugët lidhëse të Llogora, nuk pengohet trafiku

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Në kuadër të punimeve për ndërtimin e rrugëve lidhëse të Llogorasë ditën e nesërme, rreth orës 11:00-11:30, do të kryhet një shpërthim i kontrolluar me sasi të vogla eksplozivi, në funksion të hapjes së trasesë së rrugës, pa penguar trafikun.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se punimet janë koordinuar me Policinë e Shtetit, me qëllim menaxhimin dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit të mjeteve gjatë këtij procesi.
Punimet përfshijnë zgjerimin e aksit ekzistues, si dhe ndërtimin e një segmenti të ri prej rreth 600 metrash, ndërsa rehabilitimi i rrugës aktuale shtrihet në një gjatësi prej rreth 1 kilometër, nga dalja e tunelit në anën e Palasës deri në kryqëzimin me rrugën e re Palasë-Dhërmi.
Punimet po ecin me ritme të shpejta dhe pritet të përfundojnë në fund të muajit qershor, ndërsa sipas kontratës afati përmbyllës është mesi i muajit gusht.
Me përfundimin e shpërthimeve do të vijojnë ndërhyrjet për mbrojtjen e skarpatave dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore.
/r.e/a.f/