ATHINË – Greqia pezullon kërkesat për azil për sirianët

ATHINË, 10 dhjetor /ATSH-ANSA/- Sekretari i përgjithshëm për Politikat e Migracionit të qeverisë greke, Manos Logothetis tha në një intervistë për transmetuesin publik Ert, se Greqia kishte vendosur të ngrinte përkohësisht vendimet për kërkesat për azil për sirianët.
“Të gjithë kanë të drejtë të vijnë dhe të paraqesin një kërkesë për azil”, tha ai duke shtuar se Greqia kishte zgjedhur të ngrinte rezultatin e procesit për momentin.
“Brenda pak ditësh, të gjitha faktet që dinim për Sirinë janë përmbysur”, tha Logothetis.
“Ne kemi parë shumë gjëra në Siri në të kaluarën dhe jemi të kujdesshëm – mes rreth 8 mijë azilkërkuesve sirianë të pranishëm aktualisht në Greqi, asnjë nuk ka shprehur interes për t’u kthyer në atdhe pas zhvillimeve të fundit”, shtoi ai.
Logothetis tha se Greqia kishte parë një rënie të refugjatëve sirianë në tre ditët e fundit duke spekuluar se trafikantët po vëzhgonin situatën për t’u rigrupuar.
Këtë vit, sipas të dhënave të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, në Greqi kanë mbërritur 58 000 emigrantë.
Sirianët përfaqësojnë kombësinë e parë, të ndjekur nga afganët dhe egjiptianët.
Mbledhja e Këshillit të Qeverisë Greke për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen (KYSEA) është planifikuar të premten – për të vendosur mbi situatën e azilkërkuesve sirianë në vend.//a.i/