E Diel, 1 Nëntor 2026

ATSH zgjeron bashkëpunimin me agjenci ndërkombëtare, nënshkruhet marrëveshja me Kazinform

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) vijon të zgjerojë rrjetin e bashkëpunimit me agjenci simotra në vende të ndryshme të botës, duke krijuar më shumë mundësi për shkëmbimin e informacionit si dhe  pasqyrim më të gjerë të zhvillimeve ndërkombëtare.

Pjesë e këtij angazhimi është edhe Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar së fundmi mes ATSH-së dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Lajmeve “Kazinform”, pjesë e Kompleksit Televiziv dhe Radiofonik të Presidentit të Republikës së Kazakistanit.

Marrëveshja është nënshkruar nga drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa dhe drejtoresha e Kompleksit Televiziv dhe Radiofonik të Presidentit, Raushan Kazhibayeva.

Memorandumi i Mirëkuptimit parashikon shkëmbimin e lajmeve, fotove dhe materialeve mediatike si dhe mbulimin e përbashkët të ngjarjeve politike, ekonomike, kulturore dhe sportive në nivel lokal dhe global.

Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa thekson se “marrëveshja me Kazinform është një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të ATSH-së dhe në zgjerimin e hapësirës ku zëri dhe informacioni shqiptar përcillet me profesionalizëm e besueshmëri. Përmes këtij partneriteti synojmë të krijojmë ura të reja komunikimi mes dy vendeve dhe t’u ofrojmë publikut informacion të saktë, të verifikuar dhe të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet në Shqipëri dhe Kazakistan”.

“Bashkëpunimi me agjenci të rëndësishme ndërkombëtare është veçanërisht i rëndësishëm në një kohë kur sfida e dezinformimit dhe fake news kërkon më shumë se kurrë burime profesionale dhe të besueshme informacioni”, vuri në dukje Zhupa.

Për Kompleksin Televiziv dhe Radiofonik të Presidentit, një nga organizatat kryesore mediatike të vendit që ofron mbështetje informative për aktivitetet e kryetarit të shtetit dhe mbulim të proceseve më të rëndësishme socio-politike në vend dhe rajon, ky partneritet kontribuon në zgjerimin e pranisë së tij në hapësirën globale të informacionit.

“Zhvillimi i lidhjeve ndërkombëtare është një nga drejtimet prioritare për Kompleksin Televiziv dhe Radio të Presidentit. Përmes partneriteteve me agjenci me reputacion të mirë, ne mund t’i ofrojmë informacion objektiv dhe të verifikuar një audience globale. Marrëveshja me ATSH-në hap horizonte të reja për punë të përbashkët dhe forcon kanalet e komunikimit midis vendeve tona”, theksoi Raushan Kazhibayeva.

Memorandumi parashikon jo vetëm mbulim të përbashkët të ngjarjeve të ndryshme, por edhe krijimin e kushteve për të mbështetur profesionalisht gazetarët, për të shkëmbyer përvoja dhe për të krijuar një bazë të fortë për bashkëpunim afatgjatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›