E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AUSTRALI – Albanese: Izraeli po shkel qartazi ligjin ndërkombëtar

SIDNEJ, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese deklaroi sot se Izraeli po shkel “në mënyrë të qartë” ligjin ndërkombëtar në Rripin e Gazës, por Kanberra nuk ka në plan të njohë një shtet palestinez “në mënyrë të menjëhershme”.

“Numri i viktimave civile dhe vdekjet në Gaza janë krejtësisht të papranueshme, krejtësisht të pambrojtshme”,  tha Albanese për transmetuesin australian ABC.

“Është e qartë se është shkelje e ligjit ndërkombëtar të ndalosh dërgimin e ushqimit, gjë që Izraeli vendosi ta bëjë në mars”, theksoi ai, edhe pse shtoi se vlerësimet formale për këto shkelje do të “ndjekin rrugën e tyre ligjore”.

“Ligji ndërkombëtar thotë se nuk mund t’i mbash njerëzit e pafajshëm përgjegjës për atë që është një konflikt”, shtoi ai.

I pyetur nëse Australia ka në plan të ndjekë shembullin e Francës për të njohur Palestinën si shtet në të ardhmen e afërt, Albanese tha se qeveria e tij nuk do të marrë një vendim të tillë “në mënyrë të menjëhershme”.

“Njohja e një shteti palestinez është pjesë e ecjes përpara,” u shpreh ai. “Por si sigurohesh që një shtet palestinez të funksionojë në mënyrë të përshtatshme dhe të mos përbëjë kërcënim për ekzistencën e Izraelit”?

“Prandaj, nuk do të marrim një vendim vetëm si gjest simbolik , do ta bëjmë vetëm nëse plotësohen rrethanat përkatëse”,  tha më tej kryeministri.

“Hamasi nuk mund të ketë asnjë rol në një shtet të ardhshëm”, shtoi ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të enjten se Franca do ta njohë Palestinën si shtet në shtator.

Rreth 150 shtete anëtare të OKB-së e kanë njohur tashmë shtetësinë palestineze. Megjithatë, disa shtete perëndimore të rëndësishme ende nuk e kanë bërë këtë, përfshirë vende  anëtare me fuqi vetoje në Këshillin e Sigurimit  si Shtetet e Bashkuara  tË Amerikës dhe Britania e Madhe./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›