AZERBAJXHAN – Ministri i Transportit Nabiyev: Një armë mund të ketë shkaktuar rrëzimin fatal të avionit

MOSKË, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Qeveria e Azerbajxhanit i është referuar publikisht një arme të përdorur kundër avionit të pasagjerëve që u rrëzua në fillim të kësaj jave pranë qytetit Aktau në Kazakistan, duke shkaktuar vdekjen e 38 personave.
“Hetimi do të sqarojë se çfarë lloj arme është përdorur për të shkaktuar aksidentin”, tha sot ministri i Transportit Rashad Nabiyev, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Azertag.
Nabijev tha se rrënojat dhe deklaratat e dëshmitarëve sugjeronin se avioni ishte dëmtuar nga jashtë – mbi aeroportin e destinacionit origjinal në Grozny, kryeqyteti i republikës ruse të Çeçenisë.
“Sipas këtyre deklarimeve, jashtë kishte një zhurmë shpërthyese dhe më pas avioni ishte goditur nga diçka”, tha ai.
Në kohën kur avioni u dëmtua – të mërkurën në mëngjes, mbrojtja ajrore ruse thuhet se ishte e angazhuar në luftime me dronët ukrainas në rajon.
Nabijev nuk specifikoi se kush, sipas shërbimeve sekrete qeveritare, ishte qëlluar ndaj avionit.
Disa media, duke cituar burime të paidentifikuara të qeverisë së Azerbajxhanit, kishin raportuar më parë se rrëzimi ishte rezultat i një rakete kundër-ajrore ruse.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u bëri jehonë këtyre dyshimeve.
“Ne kemi parë disa indikacione të hershme që me siguri do të tregonin mundësinë që ky avion mund të jetë rrëzuar nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore”, tha sot zyrtari amerikan.
Kompania ajrore e Azerbajxhanit tha se rezultatet e hetimit paraprak sugjeronin se incidenti ishte shkaktuar nga “efektet fizike dhe teknike nga jashtë”.
Fotot e pjesës së bishtit të avionit treguan dëmtime që i ngjanin vrimave nga goditjet e armëve kundërajrore.
Hetuesit do të duhet të sqarojnë nëse një ulje emergjente e avionit ishte autorizuar apo refuzuar në Makhachkala, si dhe pse pozicioni satelitor i avionit ishte ndërprerë”, shtoi ai. //a.i/