Abdixhiku takohet me Prattipatin, diskutojnë për konstituimin e Kuvendit

PRISHTINË, 10 shtator /ATSH/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën, sic thuhet në një njoftim të LDK-së u diskutua për aktualitetin politik në vend, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kuvend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Kryetari Abdixhiku e njoftoi znj. Prattipati për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën aktuale politike, duke ritheksuar përkushtimin e LDK-së për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës, funksionalitetin e institucioneve dhe stabilitetin institucional.
“Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e tejkalimit të situatës aktuale politike dhe krijimit të kushteve për funksionimin e qëndrueshëm dhe demokratik të institucioneve të vendit, në shërbim të qytetarëve”, thuhet në këtë njoftim.
Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pazëvendësueshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës, duke vlerësuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe thellimit të këtij partneriteti”.
/KosovaPress/