Abuzuan me detyrën, GJKKO lë në arrest shtëpie kryebashkiakun e Tropojës dhe nënkryetarin

Gjykata e Posaçme kundër korrupsioni ka konfirmuar kërkesën e SPAK për të lënë në “arrest shtëpie” kryetarin e Bashkisë Tropojë Rexhe Byberi dhe nënkryetarin Abedin Kernaja, të akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Vendimi u dha nga gjyqtarja e GJKKO Etleva Deda, e cila vendosi vijimin e masës “arrest shtëpie” për Rexhe Byberin pasi në bashkëpunim me nënkryetarin e Bashkisë Tropojë Abedin Kerrnaja kanë abuzuar me detyrën.
Byberi dhe Kerrnaja akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik mbi 227 milionë lekë në lidhje me ndërtimin e dy rrugëve.
“Nga kryerja e aktit të ekspertimit ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 Lekë. Në tërësi nga veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë të hetimit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetasi Rexhe Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë në bashkëpunim me shtetasin Abedin Kërrnaja me detyrë zv/kryetar i Bashkisë Tropojë, kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mos përmbushje të rregullt të detyrës, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, gjatë procesit të për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Rruga ekzistuese u “shit” si rrugë tërësisht e re
Këshilli Bashkiak i Tropojës ka miratuar vendimin për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, nga ku rezulton se është miratuar në parim projektideja për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2 km, totalisht ndërtim i ri, kur në fakt 80% e kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.
Më pas, me vendim të Prefektit të Qarkut Kukës është konfirmuar ligjshmëria e vendimeve të Këshillit të Bashkisë Tropojë për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules” dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Qafë Murrizi-Qafë Agri”.
“Këto punime janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore të cituara më sipër. Konkretisht për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, për hapjen e një rrugë të re subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh. Konkretisht në nenin 15 të VKM janë saktësuar dokumentet tekniko-ligjor që duhen depozituar në sistemin e-leje, gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës sic janë: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me Ministrinë e Linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje) për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit”, njofton SPAK.
/rtsh.al/