Açka apo Bardhi? Debati për kryetarin e grupit parlamentar të PD-së mbërrin në Konferencën e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit, është përballur të martën me një situatë të pazakontë. Shkak për këtë është bërë fakti se si kryetarë, në emër të grupit parlamentar të PD-së, janë paraqitur dy deputetë të opozitës, përkatësisht Gazment Bardhi dhe Flutura Açka.
E gjendur përpara kësaj situate, deputetja Açka mësohet se është larguar nga mbledhja duke lënë të kuptohet se Kuvendi duhet të shprehet nëse njeh Bardhin si kryetar të grupit të PD-së apo Açkën, e cila, në rastin konkret, ka shkuar si e deleguar e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, dhe që përfaqëson PD-në zyrtare në Kuvend, në rastet kur mungon Basha.
Në një mesazh të publikuar nga Açka nënvizohet kjo situatë konfuze e krijuar në Konferencën e Kryetarëve, ku jo pa nëntekst ajo shkruan se “dy dado e vrasin fëmjën“, duke lënë të kuptohet se prezenca e saj dhe e Bardhit më shumë dëmton PD-në.
“Kuvendi NUK u shpreh dhe shpresoj të shprehet shpejt, sepse, siç edhe thashë në Konferencën e Kryetarëve, nga e cila u largova të mos e bëj qesharake situatën mes kolegëve të mi, me të cilët më shumë gjëra më bashkojnë se më ndajnë – “dy dado e vrasin fëmijën!”. Do t’i lutesha medies të jetë korrekte me çdo lajm. Vetë nuk do të bëj kurrë lajme me sms, sepse fyej veten dhe medias së cilës (mund) t’ia çoj.“- shkruan Açka.
Sipas saj, Partia Demokratike nuk ndihmohet me kaos, por me distancë higjienike nga interesi personal i çdonjërit prej nesh, me përgjegjësinë politike të deleguar nga shqiptarët.
Pse 2 pretendentë për kryetarë në Konferencën e Kryetarëve?
Një javë më parë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në seancën parlamentare, deklaroi se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është drejtuar me një letër, ku njofton ndryshimet në përfaqësimin e grupit parlamentar të PD-së.
Sipas letrës, Basha i kishte deleguar kompetencën e krytarit të grupit parlamentar të PD-së, deputetes, Flutura Açka.Advesement –
“Ka njoftim për ndryshimin e kryesisë së grupit parlamentar të PD-së. Me propozim të kryetarit të Partisë përbërja e kryesisë së grupit parlamentar të PD është Flutura Açka, nënkryetar e autorizuar për përfaqësimin e grupit parlamentar në mungesë të kryetarit të grupit, Kreshnik Çollaku nënkryetar, Arbi Agalliu sekretar, Oriola Pampuri zëdhënëse.“- deklaroi Nikolla.
Por letra e Bashës bëri që Gazment Bardhi të përplasej me kryeparlamentaren Nikolla, duke i thënë se po shkelte rregulloren, pasi vendimet për përfaqësimin në parlament i merr grupi parlamentar dhe jo kryeparlamentarja.
Debati u shoqërua edhe me tone të ashpra mes Bardhit dhe kryetares së Kuvendit. Nikolla ka sqaruar se shkresa e Bashës ishte për ta vënë atë në dijeni si kryetare Kuvendi dhe nuk ishte për të njoftuar Kuvendin.
“Ishte një shkresë që impaktonte grupin parlamentarë të Partisë Demokratike. Jeni konfuz dhe po krijoni një situatë të paprecedente për publikun”,- deklaroi Nikolla.
Nisur nga kjo bëhet e qartë se përse Açka dhe Bardhi janë gjendur të dy si kryetarë grupi në Konferencën e Kryetarëve, pasi Kuvendi ende nuk është shprehur për shkresën e Bashës.
Përbërja e re e grupit të PD-së
Lulzim Basha – Kryetar
Flutura Açka – Nënkryetare, e autorizuar për përfaqësimin e Grupit Parlamentar në mungesë të Kryetarit të Grupit.
Kreshnik Çollaku – Nënkryetar
Arbi Agalliu – Sekretar
Oriola Pampuri – Zëdhënëse
Si ishte përbërja më parë
Enkelejd Alibeaj- kryetar grupi, më pas Gazment Bardhi
Nënkryetar- Ervin Salianji
Arbi Agalliu – Sekretar
Oriola Pampuri – Zëdhënëse
/rtsh.al/