E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata Tatimore dhe BE diskutojnë progresin e Planit të Rritjes në fushën fiskale

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore, Ilir Binaj zhvilloi takim pune me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ku u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të katër objektivave kryesore të Planit të Rritjes në fushën e administrimit tatimor.

Gjatë takimit, palët u ndalën në progresin e deritanishëm dhe hapat e mëtejshëm për përmbushjen e angazhimeve, të cilat përfshijnë forcimin e kapaciteteve të administratës tatimore dhe përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave.

Ndër objektivat e trajtuara ishin auditimi i individëve me risk të lartë dhe pasuri të konsiderueshme, i bazuar në të dhënat e vetëdeklaruara dhe informacionet nga palë të treta, si dhe krijimi i regjistrit të aseteve për 10% të totalit të tatimpaguesve.

Gjithashtu, u diskutua për paraplotësimin e deklaratave të TVSH-së për të gjithë tatimpaguesit subjekt i TVSH-së, si dhe deklaratës vjetore të të ardhurave personale (DIVA) për individët deklarues, me qëllim thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e përputhshmërisë fiskale.

Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte forcimi i performancës së strukturave të hetimit tatimor, me synim luftimin e evazionit dhe mashtrimit fiskal.

Administrata Tatimore theksoi angazhimin e saj të vijueshëm për përmbushjen e objektivave strategjikë, forcimin e administrimit tatimor dhe avancimin e reformave në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe procesin e integrimit të vendit.

1 nga 6

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›