Administrata e KQZ-së, trajnim për monitorimin e medias sociale në fushatë elektorale

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Monitorimi i medias sociale dhe online ishte tema e trajnimit të Administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative Shqipëri, BIRN Albania.
Trajtimi i rëndësisë së monitorimit të medias gjatë fushatave elektorale, panoramës mbi platformat online që përdoren për fushatë në Shqipëri, mundësitë e identifikimit të shpenzimeve financiare të kryera nga subjektet zgjedhore në rrjetet sociale si dhe roli i monitoruesve në këtë proces, i mundësoi Administratës të njihet me aspekte të mëtejshme teknike, ligjore, të të drejtave dhe detyrimeve që ndërthuren në procesin e monitorimit.
Në trajnim u trajtuan disa aspkete të fushatës në median sociale dhe online: Algoritmi dhe Trendet e Medias Sociale; Identifikimi i Dezinformimit dhe Misinformimit Zgjedhor; Monitorimi i Reklamave Politike dhe Mesazheve të Fushatave dhe Zbulimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Ngacmimeve Online.
Gjithashtu, u prezantuan disa nga praktikat më të mira të vendeve të tjera në monitorimin e zgjedhjeve dhe u diskutua roli i palëve të treta në fushatën zgjedhore.
Vëmendje mori gjithashtu etika dhe mbrojtja e të dhënave personale në monitorimin e medias.
Në kuadër të monitorimit të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvend që do të mbahen në datën 11 Maj 2025, KQZ është angazhuar në mënyrë serioze në krijimin e një Strukture të Posaçme, e cila synon të përmirësojë procesin e monitorimit dhe mbikëqyrjen e fushatës zgjedhore në bazë të rekomandimeve dhe të praktikave më të mira ndërkombëtare.
Aktualisht, kjo nismë vijon të jetë në fazë konsultimi me shoqërinë civile dhe aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor.
1 nga 8
/k.s/j.p/