E Hënë, 2 Nëntor 2026

Adolf Hitleri fiton përsëri zgjedhjet: Tepër vonë për të ndryshuar emrin

Një politikan vendas në Namibi, i cili ka të njëjtin emër me udhëheqësin famëkeq të Gjermanisë naziste , ka ruajtur mandatin e tij për një mandat të pestë radhazi, pasi thuhet se fitoi zgjedhjet lokale në distriktin e tij të mërkurën. 

Adolf Hitler Uunona ka përfaqësuar Ompundya-n në rajonin Oshana që nga viti 2004 si anëtar i Organizatës Popullore të Afrikës Jugperëndimore (SWAPO). 

Edhe pse Komisioni Zgjedhor i Namibisë nuk i ka publikuar ende rezultatet zyrtare, sipas raportimeve të shumta, Uunona fitoi me një diferencë të madhe. 

59-vjeçari ishte një figurë popullore në qarkun e vogël verior me më pak se 5,000 banorë, pavarësisht trashëgimisë së emrit të tij, duke fituar zgjedhjet e vitit 2020 me 85% të votave. 

Si këshilltar rajonal, ai u lavdërua për punën e tij në terren dhe për avokimin kundër aparteidit, raportuan mediat lokale. 

Në një intervistë me gazetën gjermane Bild në vitin 2020 — kur fitoi mandatin e tij të katërt — Uunona deklaroi se nuk kishte “asnjë lidhje” me ideologjinë naziste. 

Ai gjithashtu hodhi poshtë çdo ide të dominimit botëror. 

“Vetëm kur u rrita e kuptova: ai burrë donte të pushtonte të gjithë botën”, tha Uunona. “Unë nuk kam të bëj fare me këtë”, përfundon ai. 

Ai shpjegoi se i ati ia vuri emrin sipas udhëheqësit famëkeq nazist përgjegjës për Holokaustin. Megjithatë, Uunona theksoi se “ndoshta nuk e kuptoi” se çfarë do të thoshte kjo. 

“Si fëmijë e shihja si një emër krejtësisht normal”, këmbënguli Uunona. 

“Kjo nuk do të thotë që kam karakterin e Adolf Hitlerit ose se dukem si Adolf Hitleri nga Gjermania”, tha ai në një intervistë të veçantë për mediat namibiane. 

Në jetën e tij të përditshme, ai përdor emrin Adolf Uunona, por pohon se nuk ka ndërmend ta ndryshojë emrin e tij , sepse “është tepër vonë për këtë”. 

Partia e qendrës së majtë SWAPO i ka rrënjët në lëvizjen çlirimtare të Namibisë. Ajo mbështet politika antikoloniale, duke përfshirë refuzimin e sundimit të pakicës së bardhë. 

Në vitet e fundit, partia është afruar më shumë me qendrën dhe politikat e orientuara drejt tregut. 

Namibia dikur ishte një koloni gjermane dhe pjesë e Afrikës Jugperëndimore Gjermane, dhe emrat gjermanë si Adolf janë ende të zakonshëm. 

Pas Luftës së Parë Botërore, vendi ishte nën kontrollin e Afrikës së Jugut deri në pavarësinë e saj në vitin 1990. 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›