E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aeroporti i Brukselit pritet të rihapet, pas pranisë së dronëve

Aeroporti kryesor i kryeqytetit të Belgjikës pritet ta rifillojë punën të mërkurën, pasi ndaloi rreth 80 fluturime për shkak të dyshimeve për praninë e dronëve, tha një zëdhënëse.

Rreth 400-500 udhëtarë u detyruan ta kalonin natën në aeroportin Zaventem për shkak të pranisë së dronëve, tha për AFP-në zëdhënësja e aeroportit të Brukselit, Ariane Goossens.

“Situata do të kthehet në normalitet gjatë ditës” me rifillimin e fluturimeve, shtoi ajo.

Të martën në mbrëmje, trafiku ajror u pezullua gjithashtu për arsye sigurie në aeroportin e dytë më të madh në Sharleua, njoftuan operatorët atje.

Skeyes, kompania përgjegjëse për kontrollin e trafikut ajror në Belgjikë, ndaloi fluturimet dy herë të martën në mbrëmje, rreth orës 20:00 dhe sërish rreth orës 22:00, pasi dronë të dyshuar u panë pranë aeroportit të Bruksel-Zaventem dhe atij të Liezhit.

Ndërprerjet e fluturimeve vijnë pas një sërë incidentesh misterioze me dronë që kanë shënjestruar aeroporte dhe zona të ndjeshme ushtarake në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Danimarkën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›