E Diel, 1 Nëntor 2026

Aeroporti i Vlorës, Pacolli: Qeveria ka 6 muaj kohë për të shmangur Arbitrazhin!

Konflikti për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po hyn në një fazë të re, ndërsa kompania MABCO, e lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli dhe aksionere me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare VIA, paralajmëron se mosmarrëveshja me autoritetet shqiptare mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar pranë ICSID-it të Bankës Botërore në Washington.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Behgjet Pacolli deklaron se MABCO është privuar prej vitit të kaluar nga çdo qasje efektive në procesin e vendimmarrjes së shoqërisë Vlora International Airport (VIA), duke pretenduar se kompanisë i është pamundësuar ushtrimi i të drejtave që burojnë nga pronësia e saj prej 98% të kuotave.

Sipas Pacollit, kjo situatë është krijuar si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të Autoritetit Kontraktor dhe institucioneve të tjera shqiptare dhe ka pasur pasoja të drejtpërdrejta edhe mbi ecurinë e punimeve në aeroport.

Ai pretendon se, që prej prillit 2026, MABCO nuk ka më qasje në hapësirat dhe objektet e Aeroportit të Vlorës, pavarësisht se ato janë ndërtuar me investimet e kompanisë.

“Që nga prilli 2026, MABCO është privuar nga qasja në hapësirat dhe objektet të cilat janë ndërtuar përmes investimeve marramendëse të vetë kompanisë”, shkruan Pacolli, duke shtuar se kjo situatë i ka pamundësuar kompanisë administrimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e investimit.

Përplasja duket se tashmë ka kaluar përtej një konflikti mes aksionerëve apo një mosmarrëveshjeje për administrimin e koncesionit. Pacolli bën të ditur se, pasi janë shteruar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje përmes rrugëve të tjera, MABCO u ka dërguar autoriteteve shqiptare një “Notice of Dispute”, duke aktivizuar mekanizmat e parashikuar nga Marrëveshja Bilaterale mes Zvicrës dhe Shqipërisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Sipas reagimit, aktualisht palët ndodhen në periudhën gjashtëmujore të ashtuquajtur “cooling-off”, gjatë së cilës synohet që mosmarrëveshja të zgjidhet përmes negociatave, përpara se investitori të ndjekë rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar.

Nëse brenda kësaj periudhe nuk arrihet një marrëveshje, MABCO paralajmëron mundësinë e dërgimit të çështjes në ICSID, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe me seli në Washington.

Një proces i tillë do ta zhvendoste konfliktin për Aeroportin e Vlorës nga përplasja institucionale dhe kontraktuale brenda Shqipërisë në një mosmarrëveshje ndërkombëtare investimi mes kompanisë dhe shtetit shqiptar.

Pacolli pretendon se MABCO u ka kërkuar vazhdimisht autoriteteve shqiptare hapjen e një dialogu për zgjidhjen e situatës, por deri tani nuk ka marrë një përgjigje konkrete.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe, MABCO u ka bërë thirrje të vazhdueshme autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për dialog konstruktiv dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme. Fatkeqësisht, deri më sot, këto thirrje nuk kanë marrë një përgjigje konkrete”, thuhet në reagim.

Megjithatë, kompania deklaron se do të respektojë të gjithë periudhën gjashtëmujore të parashikuar nga kuadri juridik, duke lënë ende të hapur mundësinë për një marrëveshje me qeverinë shqiptare.

“MABCO mbetet e gatshme për dialog dhe për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkruan Pacolli, ndërsa thekson se shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit tashmë varet nga gatishmëria e autoriteteve shqiptare për t’u angazhuar në negociata.

Reagimi vjen në një moment kritik për projektin e Aeroportit të Vlorës, i cili prej muajsh është përfshirë në një përplasje mes investitorit dhe institucioneve shqiptare. Paralajmërimi për arbitrazh ndërkombëtar e shton më tej pasigurinë mbi fatin e investimit, ndërsa një eventual proces pranë ICSID mund të hapë edhe një front financiar dhe juridik për shtetin shqiptar, në varësi të pretendimeve dhe dëmshpërblimit që MABCO mund të kërkojë nëse çështja kalon në arbitrazh.

Për momentin, MABCO deklaron se dera e negociatave mbetet e hapur. Por afati gjashtëmujor i “cooling-off” do të jetë vendimtar për të përcaktuar nëse konflikti për Aeroportin e Vlorës do të zgjidhet në tryezën e bisedimeve apo do të zhvendoset në Washington./ekofin.al

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›