Afera e inceneratorëve/ Berisha: Rama firmosi për djegëesat, do të bëjë kurban Niko Peleshin

Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se iu shmang debatit për inceneratorët dhe akuzat mbi ish-numrin dy të qeverië, Ahmetaj, duke munguar në seancën e fundit të parlamentit.
Edhe pse kërkesa e opozitës u rrëzua, Berisha premtoi se demokratët nuk heqin dorë nga mocioni me debat për inceneratorët.
SALI BERISHA
“Edi Rama nuk erdhi dje në debat, nuk erdhi dje në parlament. Ajo ishte një fyerje për çdo shqiptar,”
Ish-kryeministri Berisha përsëriti akuzat se kryetari i qeverisë mban përgjegjësi ligjore për 3 inceneratorët. Berisha numëroi dokumentet që lidhen me inceneratorët dhe që mbajnë firmën e kryeministrit Edi Rama, duke nisur nga leja e ndërtimit për inceneratorin e Elbasanit, tek rishikimi i buxhetit afat mesëm për këtë incenerator, deri tek dhënia e bonusit për kompaninë që fitoi koncesionin për inceneratorin e Tiranës.
“Problemi i tij madhor është se ka firmën e tij mbi financimin me paratë e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, të djegësit të Elbasanit. Pra, kjo e bën atë përgjegjësin më kryesor në zbatimin e këtij projekti mafioz. Kurrë ai nuk mund të prekë atë fond për këto qëllime. Kurrë!”
Nga ana tjetër, Berisha citoi edhe dokumente të cilat mbajnë firmën e Niko Peleshit në cilësinë e zëvendëskryeministrit, dokumente të firmosura në mungesë të shefit të qeverisë.
“Në çdo rast, kur një firmë vihet në mungesë dhe me porosi, përgjegjësia e parë është e atij që ka porositur. Se si mendon Rama të shpëtojë, duke bërë kurban Peleshin, kjo nuk mund të ndodhë. Nuk ka drejtësi në botë që mund ta bëjë këtë.”
Lideri i opozitës paralajmëroi se demokratët nuk do të tërhiqen nga lufta kundër inceneratorëve, duke paralajmëruar protesta dhe betejë parlamentare.