Afera e naftës virgine, ndalohet në Zvicër Adrian Xhillari
Adrian Xhillari, i shpallur në kërkim prej vitit 2015 si njëri prej personave të përfshirë në skemën e kontrabandës së naftës virgine është arrestuar në Zvicër për llogari të drejtësisë shqiptare. Lajmi konfirmohet për BIRN nga Prokuroria e Fierit. Pala shqiptare pret që ai të ekstradohet për tu përballur me drejtësinë. Të njëjtat burime i thanë BIRN se Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar menjëherë letër-porosinë e shoqëruar me urdhër-ndalimin dhe dosjen hetimore në ngarkim të Xhillarit, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri. Nën akuzë bashkë me Xhillarin janë edhe zv.drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Lula Njebza dhe ish-kreu iDegës së Doganës së Tiranës, Mirëarbër Teneqexhiu.
Administratori i kompanisë Tea Construksion & Petrol sh.a, Adrian Xhillari akuzohet për veprat penale fshehje e të ardhurave, mospagim i taksave dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe ndaj tij vazhdon të qëndrojë në fuqi masa e sigurimit arrest në burg e dhënë në mungesë. Çështja ndaj tre të akuzarve të sipërcituar nisi pas një denoncimi të kryer nga Crown Agents në Maj të vitit 2015 në Prokurorinë e Fierit.
Më herët, në lidhje me këtë dosje u dënuan Alfred Bushi dhe Syrja Misiraj në Gjykatën e Fierit, Bushi mori pafajësi në Apel, ndërsa Misiraj u dënua me 1 vit burg. Në një procec të mëvetshëm po shqyrtohet çështja edhe ndaj Adrian Alikajt. Pritet që në ditët në vazhdim, autoritetet e drejtësisë zviceriane të vendosin për ekstradimin ose jo të Xhillarit.