Afganistan: Vriten 3 policë e plagosen të paktën 5 të tjerë
Zyrtarët afganë thanë se shpërthimi i një bombe, e fshehur në një karocë druri shkaktoi vrasjen e 3 policëve dhe plagosjen e të paktën 5 të tjerëve në qytetin jugor të Kandaharit.
Zyrtarët lokalë thanë se sulmi sot kishte në shënjestër një automjet të policisë. Të paktën edhe 6 civilë u plagosën.
Agjencia franceze e lajmeve njoftoi se talebanët morën përgjegjësinë për sulmin.
Shpërthimi i sotëm është i dytë në dy ditë në Kandahar. Dje, zyrtarët kanadezë thanë se 3 ushtarë kanadezë u vranë kur një bombë në anë të rrugës shpërtheu afër makinës së tyre.
Po dje, kryeministri britanik Gordon Braun u bëri thirrje aleatëve të NATO-s të bëjnë më shumë për të përballuar barrën e luftimeve kundër kryengritësve talebanë në Afganistan.
Zoti Braun tha se Britania dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë të vetmet vende që kontribuojnë me trupa shtesë për të ndalur dhunën në rritje. Ai i bëri komentet dje gjatë një vizite të panjoftuar në Afganistan, ku u takua me Presidentin afgan Hamid Karzai.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se do të dërgojnë mijëra trupa shtesë në vend.
Kryeministri britanik Gordon Braun tha se do të shqyrtonte mundësinë e përforcimit të forcës aktuale britanike prej 8 mijë trupash që ndodhet në Afganistan. (ze)