Afro 7 mijë raste me kancer çdo vit, Sala: Do të investojmë në Onkologjik për përmirësimin e trajtimit

Rreth 7000 raste të reja me kancer diagnostikohen çdo vit në vendin tonë. Kanceri i gjirit, i mushkërive dhe i lëkurës sipas të dhënave zyrtare përbëjnë rreth 40% të të gjitha rasteve të diagnostikuara.
“Sipas të dhënave zyrtare kanceri përbën shkakun e dytë më të rëndësishëm të vdekjeve në vend duke kontribuar në rreth 16% të të gjitha vdekjeve . Në vendin tonë çdo vit diagnostikohen rreth 7000 raste të reja me kancer, ku kanceri i lëkurës, kanceri i gjirit dhe i mushkrisë përbëjne rreth 40% të të gjitha rasteve të diagnostikuara. Analiza e prirjeve në kohë dëshmon për një ulje të vdekjeve nga kanceri gjatë dekadës së fundit në vendin tonë”, tha Dorina Toçi, drejtoreshë e ISHP.
Instituti i Shëndetit Publik organizoj forumin, “Kontrolli i kancereve në Shqipëri”, me pjesëmarrjen e ekspertëve të shëndetit publik. E pranishme në këtë forum ishte edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila u ndal te përmirësimi i kapaciteteve të trajtimit me radioterapi. Ministrja Sala deklaroi se shumë shpejt spitali onkologjik do të pajiset edhe me një aparat të ri të brakiterapisë.
“Përmirësimin e kapaciteteve të trajtimit me radioterapi. Kjo ka qenë një problematikë e vazhdueshme e shërbimit onkologjik. Falë një bashkëpunimi të shkëlqyer me Agjencinë Atomike, shumë shpejt do të kemi 3 akseleratorë lineare funksionalë dhe sigurisht po punojmë të sjellim aparatin e ri modern të brakiterapisë sa më shpejt” , u shpreh ministrja e Shëndetësisë Evis Sala.
Në nivel global kanceri mbetet një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik duke qenë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve pas sëmundjeve kardiovaskulare./vizionplus/tv