Agim Qirjaqi, ditët në agoni të aktorit
TIRANE-S'ka mbetur thuajse asgjë, asnjë tipar, asnjë grimë energji, thuajse asnjë kujtim… Portreti i tij ekspresiv, vështrimi i thellë dhe mimika e pasur janë davaritur… thuajse tretur krejtësisht. Agim Qiriaqi, aktori i mrekullueshëm dhe regjisori plot fantazi, është sot një burrë i tretur, me shpirtin strukur në trupin e dërrmuar prej sëmundjeve… Katandisur në 40 kg njeri. Dje morëm lajmin se Qirjaqi po kalon ditët më të vështira të jetës së tij, i shtruar në spital. Rreth 2 javë më parë, pasi ka kaluar një krizë të rëndë, miqtë e tij e kanë shtruar me urgjencë në spitalin nr.5, në pavijonin e neurologjisë. Mjekët kanë konstatuar se aktori vuante nga sëmundja "Aizaimer", thënë ndryshe parkinson i avancuar. Miqtë e tij në Tetarin Kombëtar thonë se aktori nuk dilte nga shtëpia prej disa muajve. Në teatër nuk shkelte më që nga viti i kaluar. Madje, as rrogën që ia hidhnin në llogarinë e tij bankare nuk arrinte ta tërhiqte, pasi duart nuk i komandonte dot dhe kodin bankar e harronte gjithmonë... Besim Kurti, nëndrejtor i Teatrit Kombëtar dhe mik i afërt i Qiriaqit, tregon se dy vitet e fundit jeta e tij u bë tmerrësisht e vështirë. Në familjen e tij (i ndarë nga bashkëshortja dhe me një vajzë të cilën e pati larg që kur ajo ishte 2 vjeçe), janë përpjekur që t'i jenë afër në këto ditë të vështira. "Para dy viteve vajza e tij bëri bashkim familjar dhe e mori në Itali, ku u diagnostikua me parkinson dhe nisi kurimin. Por, simptomat e para të kësaj sëmundjeje iu shfaqën që në vitin 2006, kur ai luajti edhe rolin e fundit në teatër", - thotë Besim Kurti, ndërsa përmend rolin e Qiriaqit tek "Pjata prej druri", ku ai interpretonte krah aktorit të madh Sulejman Pitarka. Ndërsa kujton shenjat e para të sëmundjes, miku i Qiriaqit përmend momente nga shfaqja kur ai harronte ndonjë batutë. Në dialogun e fundit të shfaqjes, kur babai (Sulejman Pitarka) i drejtohet djalit të tij të madh (Agim Qiriaqi) që të mos e çonte në azil, dhe i thoshte: "meqë ti nuk je dakord, më merr me vete…", pikërisht kur Qirjaqi duhet të vijonte dialogun, ai thjeshtë kundërshtonte. "Si dukej nuk e kujtonte dot atë batutë. Mbaj mend se Pitarka zemërohej, ankohej se si ai, një aktor me eksperiencë, vinte në shfaqje i papërgatitur...Po kush e dinte! Kujt ia priste mendja se ato momente harrese ishin shenja të një sëmundjeje që do t'i shkaktonte kaq shumë dhimbje e vuajtje për gjithë këto vite..." Kur sëmundja u rëndua shumë, sidomos muajin e fundit, drejtori Kristaq Skrami së bashku me regjisorin Gëzim Kame folën me ministrin e Shëndetësisë për t'i siguruar aktorit një ndihmë më të specializuar. "Iu shpjegua sëmundja dhe u arrit në konkluzionin se për këtë sëmundje ishte një klinikë ku aplikoheshin metodat më të përparuara për parkinsonin, në Izrael. Pasi e shtruam tek neurologjia dhe po përgatisnim të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për këtë rast, pas analizave të kryera, mjekët konstatuan se aktori vuante edhe nga tumori në kocka. Po ashtu, edhe veshkat ishin rënduar së tepërmi nga azotemia... Një fatkeqësi e madhe, një koleksion i tërë sëmundjesh...", - thotë Kurti, ndërsa shton se e vetmja ndihmë që mund t'i ofrohet tashmë janë ilaçet e rimbursueshme, për të cilën ka ndërhyrë vetë ministri i Shëndetësisë, pasi aktori s'ka mundësi financiare për t'i përballuar. Mësohet se së shpejti aktori do ta lërë pasionin ku është shtruar dhe do të vijojë kurimi i tij në shtëpi. Shtrimi i tij në klinikën izraelite do të ishte një mundim i kotë. çastet më të trishta, siç rrëfejnë miqtë e tij, janë ato pak momente kur Qirjaqi kthjellohet për një çast, sheh vajzën e tij që i rri pranë në spital dhe përlotet...ose ato çaste të rralla dhe krejt të shkurtra kthjellimi kur ai iu thotë miqve: "Do të më çoni në shtëpi?"...(d.b/BalkanWeb)