Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura takim konsultativ për shpalljen e liqenit të Shkodrës si Rezervë Biosferë të UNESCO-s

TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura organizoi takimin e dytë konsultativ me Grupin Këshillimor Teknik të Punës (GKTP) për shpalljen e Liqenit të Shkodrës si Rezervë Biosferë Ndërkufitare të UNESCO-s.
Takimi u zhvillua në ambientet e “inNature”, dhe kishte si qëllim ndarjen e përvojave dhe hartimin e propozimeve për menaxhimin e liqenit si rezervë biosfere.
“Në vijim të punës për të shpallur Liqenin e Shkodrës si Rezervë Biosferë Ndërkufitare të UNESCO-s, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura zhvilloi në ambientet e “inNature” takimin e dytë konsultativë me Grupin Këshillimor Teknik të Punës (GKTP), për të ndarë përvojat dhe për të hartuar propozime për strukturën e ardhshme të menaxhimit të liqenit si rezervë biosfere”- njofton Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Një kontribut i rëndësishëm erdhi edhe nga eksperti i UNESCO-s, Petr Čupa, i cili u përfshi në diskutime për procesin e punës.
“Pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe pjesëmarrje në lidhje online edhe e ekspertit të UNESCO z. Petr Čupa, për të cilin e falenderojmë mbi kontributin e çmuar në procesin e punës së realizuar mbi Liqenin e Shkodrës dhe mbi përfshirjen e Lumit Vjosa në programin “Njeriu dhe Biosfera”- bën me dije Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.