E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjencia e Inteligjencës Financiare zbulon skemat e pastrimit të parave në Shqipëri, nga pronat luksoze te veprat e artit

Blerje pronash, trojesh, apartamentesh, mallrash luksi apo veprash arti. Këto janë disa nga format më të përdorura gjatë vitit 2025 për pastrimin e parave në Shqipëri, sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF).

Në raport identifikohen 7 tipologji kryesore të pastrimit të parave, ku sektori i pasurive të paluajtshme vijon të mbetet më problematiku. Katër nga skemat e zbuluara lidhen pikërisht me investimet në prona, troje dhe apartamente.

Sipas AIF, një nga skemat konsistonte në blerjen e trojeve me çmime shumë të ulëta dhe shitjen e tyre më pas me vlera deri në 15 herë më të larta. Një person ka blerë gjatë viteve 2021-2025 rreth 64 mijë metra katrorë troje në zonën e Dajtit dhe Prezës, me çmime nga 4 deri në 21 euro për metër katror.

Më pas, një pjesë e këtyre pronave janë rishitur brenda pak muajsh me vlera shumë herë më të larta. Vetëm një parcelë prej 8,050 metrash katrorë, e blerë për 45 mijë euro, është shitur për 603 mijë euro. Sipas raportit, fitimet e krijuara janë përdorur më pas si burim financimi në kompani ndërtimi.

Një tjetër skemë përfshin një 18-vjeçare që bleu një vilë në bregdet me vlerë 1.5 milionë euro. Financuese rezultonte motra e saj 40-vjeçare, e cila jetonte në një shtet të konsideruar “parajsë fiskale” dhe kishte lidhje biznesi në Seychelles, ku operonte në sektorin e lojërave online.

Sipas AIF, 40-vjeçarja investoi gjithashtu rreth 700 mijë euro në blerje veprash arti në Shqipëri, ndërsa bashkëshorti i saj rezulton i përfshirë në aktivitete të lidhura me krimin e organizuar.

Një tjetër rast i referuar për hetim lidhet me një ish-zyrtar shtetëror të dënuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, i cili gjatë vitit 2024 ka blerë apartamente, poste parkimi dhe njësi tregtare me vlerë totale mbi 150 mijë euro.

Sipas raportit, fondet për këto pasuri janë siguruar përmes transfertave nga persona të tretë, të justifikuara si dhurime, hua apo likuidime borxhesh, por me lidhje të paqarta mes palëve.

Në një tjetër skemë të evidentuar nga AIF, një person me precedentë penalë në fushën e narkotikëve ka depozituar 50 mijë euro si “kursime”, ndërsa më pas ka marrë edhe 75 mijë euro dhuratë nga një person pa lidhje familjare. Më pas fondet janë transferuar drejt një shtetaseje të huaj në Bashkimin Europian për blerje pasurie të paluajtshme.

Raporti evidenton edhe përdorimin e mallrave të luksit për pastrim parash. Dhjetë persona kanë depozituar rreth 1.9 milionë euro në llogari të ndryshme bankare pa pasur të ardhura të deklaruara, ndërsa fondet janë përdorur më pas për blerje online të markave luksoze si Chanel, Louis Vuitton dhe Hermès.

Një tjetër skemë lidhet me 11 kompani të regjistruara në Shqipëri, të cilat përfituan rreth 3.7 milionë euro transferta nga vende të Europës dhe Azisë përmes aktivitetit të marketingut online. Sipas raportit, kompanitë janë hapur dhe mbyllur brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe janë referuar për hetime nga organet tatimore.

Në raport përfshihet edhe një rast i dyshuar mashtrimi me transaksione POS. Një kompani e krijuar nga një shtetas i huaj, me objekt import-eksporti, tentoi të kreditonte mbi 1.1 milionë euro përmes POS brenda një jave, por transaksionet u bllokuan nga Mastercard.

Sipas AIF, kompania kishte zgjeruar aktivitetin edhe në shërbime si eskortë, makina me qira dhe shërbime turistike, ndonëse nuk përputheshin me objektin fillestar të regjistrimit të biznesit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›