E Martë, 3 Nëntor 2026

Agjencitë amerikane të zbulimit paralajmërojnë ligjvënësit për pasojat e ndërprerjes së ndihmave për Ukrainën

Në raportin e përvitshëm mbi vlerësimin e kërcënimeve ndaj sigurisë, të publikuar të hënën, drejtuesit e agjencive amerikane të zbulimit u thanë ligjvënësve se lufta në Ukrainë është në një pikë, ku rezultati i saj do të varet nga ndihma amerikane. Senatorët amerikanë po i bëjnë thirrje udhëheqësve të Dhomës së Përfaqësuesve që ta miratojnë projektligjin për ndihmat e huaja prej 95 miliardë dollarësh, i cili përfshin edhe ndihmat për Ukrainën.

Ukraina po përballet me mungesa të municionit dhe armëve të tjera dhe është në pritje të një raundi të ri ndihmash nga Shtetet e Bashkuara. Një projektligj, që përfshin afër 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, është miratuar nga Senati, por ende nuk është hedhur për votim në Dhomën e Përfaqësuesve nga Kryetari i saj republikan, Mike Johnson. Disa senatorë thonë se ky është një gabim serioz.

Agjencitë amerikane të zbulimit thanë të hënën në raportin e tyre të përvitshëm mbi kërcënimet ndaj sigurisë në botë se Presidenti rus Vladimir Putin shpreson në lëkundjen e mbështetjes së Perëndimit për Ukrainën.

Projektligji për ndihmat e huaja përfshin miliarda dollarë për vendet e rajonit të Indo-Paqësorit për të frenuar agresionin kinez. Drejtorja e Zbulimit Kombëtar, Avril Haines tha para ligjvënësve të hënën se pritet të ketë një rritje të agresionit kinez vitin e ardhshëm.

Por republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se nuk do të marrin në shqyrtim projektligjin mbi ndihmat e huaja para miratimit të ndryshimeve në ligjet e imigracionit, që do të përmirësonin sigurinë në kufirin SHBA-Meksikë.

Demokratët dhe disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve po shqyrtojnë mundësitë alternative të hedhjes në votim të projektligjit mbi ndihmat e huaja, i cili përfshinë edhe 14 miliardë dollarë për Izraelin dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Sipas VOA

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›