Ahmetaj pa asnjë shtëpi?! Bastisen disa banesa të familjarëve të tij, gjenden pak sende në një shtëpi të marrë me qera

Me urdhër të Gjykatës së Posaçme, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe efektivë të shumtë të policisë zbarkuan sot në disa nga banesat ku jetonte ish-zv kryeministri Arben Ahmetaj, si dhe në ato që janë në pronësi të të afërmve të tij.
Kontrolle janë bërë edhe në një shtëpi në zonën e Liqenit Artificial në Tirane që Ahmetja kishte marrë me qira.
Bëhet fjalë për një kat në këtë pallat, por që nga kontrollet hetuesit nuk kanë arritur të gjejnë prova apo dokumente që implikojnë ish-nr dy të qeverisë.
Po ashtu, agjentët shkuan edhe në vilën e sekuestruar në Hamallaj, si dhe në një pallat po në këtë zonë, ku tre kate me apartamente rezultojnë në pronësi të babait të bashkëjetueses së Ahmetaj.
Ndër të tjera Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e 4 apartamente të cilat me herët kane qenë në pronësi të ish-ministrit Arben Ahmetaj, por që dyshohet se janë shitur në mënyrë fiktive tek persona të tjerë.
Ka dyshime se këto apartamente janë përfituar gjithashtu përmes paligjshmërisë.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme iu drejtua gjykatës me kërkesën për masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për ish-zv.kryeministrin Ahmetaj, pasi parlamenti votoi për heqjen e imunitetit të tij.
Ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj po hetohet nga SPAK, për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” në gjashtë raste, si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.