“Air Albania po dëshmon degradimin e qeverisjes”/ Blendi Himçi kërkon transparencë për padinë e EUROCONTROL

Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka reaguar pas publikimit të njoftimit për një proces gjyqësor të nisur nga EUROCONTROL ndaj Air Albania për mbledhjen e detyrimeve të papaguara. Himçi kërkon transparencë për gjendjen financiare të kompanisë, detyrimet e saj dhe marrëdhëniet me shtetin shqiptar.
Sipas Himçit, Air Albania, e promovuar nga Kryeministri Edi Rama si një simbol i aviacionit shqiptar, po përballet tashmë me pikëpyetje lidhur me situatën e saj financiare dhe ligjore.
Deputeti i PD-së i referohet njoftimit të Gjykatës së Tiranës, sipas të cilit Organizata Europiane për Sigurinë e Navigimit Ajror, EUROCONTROL, ka nisur një proces gjyqësor ndaj Air Albania me objekt “përmbushje detyrimi”. Seanca e parë është caktuar më 20 tetor.
Himçi kërkon që të bëhen publike të dhënat mbi vlerën dhe periudhën të cilës u përkasin detyrimet e kërkuara nga EUROCONTROL, si dhe përgjegjësitë e administratorëve dhe përfaqësuesve të shtetit shqiptar.
Air Albania u krijua në vitin 2018 me pjesëmarrjen e Turkish Airlines, kompanisë MDN Investment dhe shtetit shqiptar. Kompania u promovua nga qeveria si një projekt strategjik për aviacionin shqiptar.
Partia Demokratike kërkon gjithashtu transparencë për marrëdhëniet financiare mes Air Albania dhe institucioneve shtetërore, si dhe për kostot dhe mënyrën e përdorimit të kompanisë për udhëtimet e Kryeministrit Edi Rama.
“Një kompani ku shteti shqiptar është aksioner nuk mund të trajtohet si pronë private e Kryeministrit”, shprehet Himçi, duke kërkuar që të bëhet e qartë se si është administruar kompania dhe çfarë detyrimesh ka.
Në reagimin e tij, deputeti i PD-së e lidh situatën e kompanisë me mënyrën e menaxhimit të projekteve publike nga qeveria, duke akuzuar mazhorancën për përdorim propagandistik të tyre.
“Propaganda fluturoi; faturat, turpi dhe vjedhja mbetën në tokë”, mbyll reagimin e tij Blendi Himçi.