Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvillon mbledhjen vjetore të Asamblesë

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi mbajti raportin përmbledhës për veprimtarinë e Akademisë së Shkencave gjatë vitit 2025 dhe programin dhe prioritetet e veprimtarisë për vitin 2026.
Gjinushi theksoi se në vitin 2025 Akademia forcoi profilin e statusin e saj si një qendër aktive e kërkimit shkencor në vend, si qendra më e rëndësishme e promovimit, koordinimit, nxitjes e zhvillimit të kërkimit shkencor në të gjitha fushat kryesore të shkencës e dijes, veçanërisht në shkencat albanologjike.
Në raportin përmbledhës, kryetari i ASHSH vuri në dukje se reformimi i ndërmarrë nga Asambleja, bazuar në ligjin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e më pas në frymën e ligjit për shkencën, mundësoi ngritjen pranë saj të një rrjeti në zgjerim, institutesh e qendrash të përhershme e njësish të përkohshme, të nivelit më të lartë të kërkimit shkencor në vend, duke i dhënë Akademisë së Shkencave fizionominë e modelin e shumë akademive simotra, të ngjashme me gjithë akademitë e rajonit.
Akademia, sot, nuk është më thjesht Asambleja, por një bashkim institutesh e njësish kërkimore të ngritura me vullnetin e vizionin e kësaj Asambleje, e cila, nga ana e saj, si organi më i lartë, kujdeset e jep mbështetjen e nevojshme për të garantuar nivelin shkencor të tyre.
Më tej, Gjinushi vuri në dukje se rezultatet e këtij viti e të katër viteve të mëparshme tregojnë se reformimi i ASHSH-së është bërë me shpenzime minimale.
Pasi vlerësoi realizimin e projekteve të programuara për vitin 2025 si sfidën kryesore me angazhimin e çdo njësie pranë ASHSH-së, ku ndër të tjera theksoi se Akademia e Shkencave, gjatë këtij viti ka mbështetur dhe një numër të konsiderueshëm projektesh që janë aplikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, AKKSHI.
Kryetari i Akademisë theksoi se për t’u përshëndetur është dalja online e maketit të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” me 125 000 fjalë e frazeologji, i cili është mirëpritur e vlerësuar nga mbarë opinioni publik, përdoruesit e shumtë dhe specialistët e fushës, çka shprehet si nga reagimet falënderuese e çmuese, ashtu dhe nga interesi i madh i shfaqur. Deri më tani, në 45 ditë, ka pasur rreth 5 milion klikime. Ai theksoi se “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” do të jetë në përmirësim e pasurim të vazhdueshëm e ky është edhe roli i Qendrës se Botimeve Enciklopedike e Albanologjike e sektorit përkatës të saj.
Ai vuri në dukje drejtimet kryesore të punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2026, ku së pari theksoi angazhimin për fillimin e riorganizimit të njësive të albanologjisë në zbatim të reformës për sistemin e kërkimit shkencor, duke u dhënë atyre e punonjësve kërkimorë statusin e duhur, në frymën e ligjit për shkencën e në përputhje me ligjin e statutin e ASHSH-së.
Për këtë, Gjinushi u shpreh se Asamblesë i kërkohet miratimi i ndryshimeve në statut, të cilat e vendosin sistemin e kategorizimit të punonjësve kërkimorë-shkencorë në nivelin e të ngjashmëve në Europë.
Duke theksuar se dhënia e kategorizimeve nga vetë institucionet sipas kritereve të vendosura po prej tyre, komform modeleve të konsoliduara, rrit autonominë e tyre, e cila, nuk matet me deklarime, por me veprime e vendimmarrje konkrete.
Sfida për 2026-n është ngritja e Qendrës Nanoalb në nivelin e një qendre rajonale elitare, çka, në sajë të punës disavjeçare të qendrës ekzistuese e mbështetjes nga kjo Asamble, është parashikuar tashmë në Strategjinë S3, zbatimi i së cilës financohet e monitorohet nga BE-ja si dhe ngritja e QKBGJ-së në nivelin e një bashkimi institutesh të shkencave të jetës. U theksua se detyra e Asamblesë është t’i çojë deri në fund këto ndërmarrje me efekt të pakrahasueshëm për kërkimin shkencor në Shqipëri, në të gjitha fushat natyrore-teknike.
Në përfundim të diskutimeve u bë miratimi i raporteve për 2025-n dhe programit për 2026-n, përfshirë shpërndarjen e buxhetit. Asambleja miratoi dhe ndryshimet e plotësimet në statut, si dhe zgjodhi dy anëtarë të jashtëm e një anëtari nderi të ASHSH-së e miratoi një avancim ne titulli sipas rendit të ditës.