E Martë, 3 Nëntor 2026

Akademiku Alpion: Doja që Shenjtërimi i Nënë Terezës të mos vonohej, ja pse ndërmora fushatën online

Në kuadër të 8-vjetorit të Shenjtërimit të Nënë Terezës, akademiku Gëzim Alpion i ftuar në studion e RTSH 24 ka bërë me dije se si nisi dëshira për të ndërmarrë fushatën online për shenjtërimin e saj.

Alpion deklaroi se dëshira e tij ka qenë që Shenjtërimi i Nënë Terezës të mos vonohej dhe që të mos i ndërrohej emri në Shën Tereza e Kalkutës, por Shën Nënë Tereza.

“Ajo që më tërhoqi se sa e rëndësishme është fëmijëria e shkrimtarëve të mëdhenj, dhe në vitin 2001 filloi një zënkë mes shqiptarëve në Maqedoni, sot Maqedonia e Veriut, dhe maqedonasve sllavë mbi etnicitetin e Nënë Terezës. Në ato kohë unë dija disa gjëra, por jo shumë për Nënë Terezën.

Ndërsa Nënë Tereza e ka shprehur hapur se ka qenë shqiptare, unë doja ta shihja vetë mundësinë për të kontribuar se kush ishte Nënë Tereza dhe të mos e shihnin Brenda disa kornizave të ngushta siç ndodh në Ballkan.

Në vitin 2014 ndërmora një fushatë online për shenjtërimin e Nënë Terezës

Nga kontaktet që kisha me Kishën Katolike, Vatikanin dhe kolegët e Nënë Terezës në Indi. Ajo që më shqetësonte ishte se nëse do vonohej shenjtërimi i Nënë Terezës, njerëzimi do humbiste mundësinë për të njohur punën e saj të madhe për të sjellë në vëmendje të qeverisë se çfarë duhet të bëjmë për të vobektit”, deklaroi Alpion.

Ky i fundit u shpreh se dëshira e tij ka qenë gjithnjë “të sjellë në Tokë” Nënë Terezën. Ai u shpreh se është befasuar gjatë vizitave në Indi, kur ka parë popullaritetin e saj në Perëndim.

“Kur pashë gjatë vizitave në Indi se sa popullore dhe e mirëpritur ishte nga myslimanët, katolikët, hinduistët, fetë e tjera; kur pashë popullaritetin e saj në Perëndim, duke parë se çfarë ka bërë për të hequr stigmën nga disa sëmundje, doja që Nënë Terezën ta sillja në Tokë, që kjo shënjtereshë të shihej jo thjesht me përmasa hyjnore, por si një njeri që u bë ajo që u bë.

Doja që Shenjtërimi i Nënë Terezës të mos vonohej dhe të mos i ndërrohej emri Shën Tereza e Kalkutës, por Shën Nënë Tereza”, deklaroi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›