E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akomodimi i studentëve, punime mirëmbajtje në konviktin e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë

Në konviktin e Universitetit të Korçës po kryhen punime mirëmbajtjeje, me qëllim për të përmirësuar kushtet e jetesës për studentët për vitin e ri akademik.

Këto ndërhyrje përfshijnë rregullime në hapësirat e brendshme e më pas edhe në territorin e jashtëm, për t’i ofruar studentëve një mjedis më të përshtatshëm e bashkëkohor.

“Po kryhet lyerja e ambienteve të brendshme të konviktit, jo vetëm dhomat, por edhe ambientet e përbashkëta. Më vonë do të kryhet edhe në ambiente të jashtë për të krijuar kushte sa më të  mira”, tha Mimoza Mançeli, shefe e Financës.

Mançelli thotë se procesi i regjistrimit për akomodim në konvikt do të nisë së shpejti, ndërsa studentët do të informohen në kohë për procedurat dhe afatet përkatëse.

“Mendoj që të fillojmë regjistrimet kur të nisin dhe ato për universitetin”, tha ajo.

Sa i takon tarifave, shefja e financës shpjegon se do të vijojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele.

“Nuk mendojmë që këtë vit të ketë ndryshime, janë tarifat që kanë qenë, 4.900 lekë për studentë për dhomat dyshe dhe 7 mijë lekë për studentë që janë të interesuar për dhoma teke” tha ajo.

Godina ka një kapacitet prej më shumë se 140 shtretërish ndërkohë që falë rikonstruksionit të bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kjo njësi akomoduese ofron kushtet optimale për akomodimin e studentëve.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›